Vajza që e akuzoi Neymarin për përdhunim paditet për zhvatje nga policia braziliane

  • 11 September 2019 - 09:05
Vajza që e akuzoi Neymarin për përdhunim paditet për zhvatje nga policia braziliane

Policia e Sao Paulos e ka paditur Najila Trindade dhe partnerin e saj Estivens Alves për shkak të akuzave për përdhunim që i bënë ndaj futbollistit brazilian, Neymarit, në maj të këtij viti.

Neymari i ka mohuar vazhdimisht akuzat se ai e kishte përdhunuar Najila Trindadën në një dhomë hoteli në Paris, më 15 maj.

Gruaja u shfaq në një intervistë televizive me SBT Brasil dhe aty ajo pretendoi se kishte shkëmbyer mesazhe me 27-vjeçarin në rrjete sociale, para se ta takonte atë në Sofitel Paris Arc Du Triomphe.

Ajo tha se ishte kthyer në Brazil dy ditë më vonë, mirëpo nuk kishte qenë në gjendje mjaftueshëm të mirë emocionale për ta raportuar rastin deri më 31 maj.

Neymari më vonë e postoi një video në Instagram, kur ai pretendoi se akuzat e bëra nga Najila ishin tentim për zhvatje.

Policia në Sao Paulo i mbylli hetimet për këtë rast në fund të korrikut, dhe hetuesja Juliana Lopes Bussacos tha në një konferencë për shtyp: “Nuk shoh mjaftueshëm elemente për ta paditur”.

Kjo u ndoq nga një deklaratë e ngjashme edhe nga gjykatësit në Brazil, të cilët e mbyllën rastin gjithashtu për shkak të mungesës së provave.

“Ne vendosëm ta mbyllim rastin sepse nuk kishte prova të mjaftueshme”, u shpreh gjykatësja Flavia Merlini.

“Hetuesit i kërkuan asaj ta lidhë telefonin me kompjuter në mënyrë që ta shikojnë videon (e sulmit të pretenduar), mirëpo ajo nuk pranoi ta bënte këtë. Ajo gjithashtu nuk pranoi ta dorëzojë telefonin dhe më vonë tha se i ishte vjedhur”, u shpreh gjykatësja tjetër, Estafania Paulin.

“Rasti do të jetë i mbyllur përderisa nuk shfaqen dëshmi të reja. Nëse dëshmi të reja vijnë dhe ne i vlerësojmë ato relevante dhe të rëndësishme, rasti do të rihapet”.

Në njoftimin e së martës, policia braziliane bëri të ditur se e kanë paditur vajzën në fjalë për mashtrim procedural, zhvatje dhe akuza shpifëse, përderisa shtoi se Alves është paditur sepse i kishte dhënë përmbajtje erotike një gazetari nga Najila.

(Kosova Sot Online )