Punonjësi i spitalit zbulon si është gjendja e Michael Schumacher

  • 11 September 2019 - 18:56
Punonjësi i spitalit zbulon si është gjendja e Michael Schumacher

Shtrimi i Michael Schumacher në spitalin “Georges Pompidou” në Paris për t’iu nënshtruar një terapie me bazë qelizat staminale ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik mbi shëndetin e legjendës së Formula 1.

Familja e ish-pilotit gjerman vazhdon të jetë shumë e kujdesshme në ruajtjen e privatësisë që nga viti 2013, kur Michael pësoi aksidentin në alpet franceze.

Nga “Le Parisien” vjen një lajm që shton shpresat për riaftësimin e Schumit. 

“Është në zonën time, mund t’ju siguroj se është i vetëdijshëm”, mësohet të jetë shprehur një punonjës i spitalit.

Dëshmitari në fjalë, zbulon e përditshmja franceze, duhet të punojë në repartin ku është shtruar Michael, të cilin e ka vizituar miku i tij i vjetër, Jean Todt.

Terapia e ndjekur nga doktori i famshëm Philippe Menasché, kardiokirurg, duhet të përfundojë sot, që do të thotë se Schumacher, i shtruar në këtë spital me emër të rremë, duhet të kthehet në vilën e tij në Zvicër.

(Kosova Sot Online)