Kent: Liverpooli më gënjeu gjatë gjithë verës

  • 13 September 2019 - 09:19
Kent: Liverpooli më gënjeu gjatë gjithë verës

Ryan Kent e ka kritikuar ish-klubin e vet, Liverpoolin, duke i akuzuar drejtuesit se e gënjyen gjatë afatit kalimtar të verës, përderisa ai po tentonte ta siguronte një transferim në Rangers.

Transferimi në fund u realizua dhe anësori u kthye në klubin ku kishte qenë i huazuar gjatë sezonit 2018/10. Kent u transferua në formë permanente në ditën e fundit të afatit kalimtar skocez,.

Jurgen Kloppi e bëri të qartë se në skuadrën e tij nuk ka vend për Kentin, por forma e negociatave mes dy klubeve e la 22-vjeçarin të zemëruar, por tani ai është i lumtur me rezultatin e bisedimeve.

“Ishte me të vërtetë shumë e vështirë. Unë duhej të qëndroja mendërisht i fuqishëm”, tha Kent në një konferencë për shtyp.

“Kur ty të thuhet se ti mund të bësh diçka dhe pastaj të gënjejnë dhe ajo gjë nuk ndodh, është diçka e vështirë për t’u pranuar”.

“Unë vetëm duhet ta mbaja veten në formë të mirë dhe të stërvitesha i vetëm dhe të sigurohesha që të mos më binte niveli dhe po e prisja që një moment i tillë të vinte”.

“Nuk ka shije të hidhur, gjëja që e doja më së shumti që nga fillimi ndodhi në fund, kështu që jam i lumtur me këtë gjë”.

“Kisha shqetësime për këtë gjë, kur mendova se transferimi mund të mos ndodhë dhe unë mund të kem nevojë të planifikoj për diçka tjetër, por gjithmonë e kisha ndjenjën se vendimi mund të merret në ditën e fundit të afatit kalimtar dhe kjo gjë ndodhi”.

(Kosova Sot Online )