Solskjaer e konfirmon: Martial dhe Pogba do të mungojnë në ndeshjen e radhës

  • 13 September 2019 - 13:15
Solskjaer e konfirmon: Martial dhe Pogba do të mungojnë në ndeshjen e radhës

Manchester Unitedi do të jetë pa Paul Pogban dhe Anthony Martial për ndeshjen e kësaj xhiroje të Premierligës, kundër Leicesterit. Lajmin e ka konfirmuar Ole Gunnar Solskjaer në një konferencë për shtyp.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer e dha sot një lajm të keq për tifozët e “Djajve të kuq”, të cilët do ta shikojnë skuadrën e tyre të luajë këtë fundjavë pa dy yjet franceze – Paul Pogba dhe Anthony Martial.

Martiali nuk luajti në ndeshjen kundër Southamptonit, që përfundoi baras, para dy javëve për shkak të një lëndimi në kofshë, ndërsa Pogba u largua nga ekipi kombëtar i Francez për ndeshjet e shtator për shkak se e lëndoi kyçin e këmbës.

Këto dy lëndime kanë bërë që asnjëri prej tyre të mos e ketë të mundur paraqitjen në ndeshjen kundër Leicester Cityt këtë të shtunë, në orën 16:00.

Megjithatë, Pogba dhe Martiali nuk janë të vetmit që po i shkaktojnë dhimbje në kokë Solskjaerit, pasi që ai po detyrohet ta menaxhojë edhe lëndimet e Jesse Lingardit dhe Aaron Wan-Bissakas.

Manchester Unitedi po shpreson se këta dy të fundit do të arrijnë të luajnë në ndeshjen e kësaj xhiroje, pasi që edhe Luke Shaw, Diogo Dalot dhe Eric Bailly janë për momentin të lënduar.

“Dhoma e trajtimeve ka qenë mjaft e zënë dhe ende është e tillë. Kjo bën që ne mos ta dimë me të vërtetë se kush do të jetë në dispozicion. Ndoshta Aaron do të jetë dhe ndoshta Jesse dhe mendoj se kjo është e gjitha. Por, s’mund të them sigurt as për këta të dy”, u shpreh Solskjaer.

“Pogba nuk do të jetë në dispozicion, jo. Vetëm në rast se e bën ndonjë rikuperim të mrekullueshëm gjatë natës, pasi që deri më tani s’ka qenë në gjendje ta japë 100 përqindëshin në stërvitje”.

“Ne shpresojmë se më shumë lojtarë do të jenë në dispozicion për ndeshjen kundër West Hamit javën e ardhshme dhe në këtë kategori hyjnë edhe Paul dhe Anthony. Mendoj se ata do të jenë gati për atëherë”.
 

(Kosova Sot Online)