Ballkani e Trepça ’89 dhurojnë spektakël

  • 13 September 2019 - 18:00
Ballkani e Trepça ’89 dhurojnë spektakël

Java e katërt në Superligën e Kosovës ka nisur me duelin ndërmjet dy skuadrave që ishin  të pamposhtura deri më tani, Ballkanit dhe Trepçës ’89.

Nga kjo përballje, Ballkani ka dalur i pamposhtur, pasi e ka mundur 3-2 Trepçën ’89 në stadiumin e qytetit në Therandë, duke ia shkaktuar humbjen e parë të sezonit.

Skuadrat dhuruan spektakël për 90 minuta.

Gjithçka nisi siç është më së miri për vendasit, duke shënuar në minutën e parë të takimit. Artur Magani realizoi për Ballkanin pas dy tentimeve në një kundërsulm vrasës të ekipit vendas, për rezultatin 1-0.

Pak minuta më vonë, Blend Baftiu përfitoi nga një gabim i portierit të Trepçës ’89, Arben Beqiri, duke realizuar për rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë, në minutën e 50’, Arbër Hoxha bën gjithçka mirë vet në krahun e majtë të sulmit dhe realizon në mënyrë mjeshtërore për 3-0.

Kur u mendua se Ballkani kreu punë, u rikthye Trepça ’89 për ta bërë edhe më interesante takimin.

Në minutën e 57’, Arb Manaj ngushtoi epërsinë në 3-1. Ai realizoi nga penaltia, pasi Edmond Turku kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar ndaj Gëzim Rusit.

Goli tjetër për mysafirët erdhi në minutën e 81’, shënoi Arb Manaj, që doli të jetë për rezultatin përfundimtar 3-2.

Pas kësaj fitore të rëndësishme, Ballkani ka shkuar në kuotën e tetë pikëve dhe ka rrëmbyer pozitën e parë përkohësisht, kurse Trepça ’89 është në pozitën e pestë me 5 pikë.

Nga ora 19:00, në “Fadil Vokrri”, do t’i matin forcat Prishtina me Llapin. 

(Kosova Sot Online)