“Më shqetësojnë 7 golat e pësuar, duam ta fitojmë titullin”

  • 13 September 2019 - 22:36
“Më shqetësojnë 7 golat e pësuar, duam ta fitojmë titullin”

Shtatë gola të shënuar, por edhe po kaq të pësuar në dy javët e para të Serisë A, kanë shqetësuar jo pak Carlo Ancelottin, që në konferencën për shtyp para ndeshjes me Sampdorian, pranoi se nuk ka qenë i qetë gjatë këtyre ditëve të ndërprerjes së kampionatit.

“Ato 7 gola të pësuar më kanë shqetësuar jo pak, pasi janë vërtetë shumë në dy javë kampionat, megjithatë duhet të kënaqem me faktin që jemi treguar efikasë në maksimum, në aksionet sulmuese. Faza difensive për mua mbetet shumë e rëndësishme dhe nuk mund të pranoj që të pësojmë kaq shumë gola”, tha Ancelotti. 

Nesër në “San Paolo”, përballë Napolit do të vihet Sampdoria, një skuadër që e ka nisur kampionatin me dy humbje dhe që nuk ka aspak qetësi, pasi është në proces ndryshimi pronësie. Megjithatë Ancelotti thekson se skuadra e tij luan për titull dhe se për t’i dalë duhet të marrë maksimumin, duke filluar nga ndeshja e radhës.

“Unë nuk luaj asnjëherë për vendin e dytë,. Duam të fitojmë dhe futbollistët janë gati për të garuar fort. Megjithatë për të shkuar te triumfi, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të bëjmë më të mirën, duke filluar nga nesër ndaj Sampdorias”, deklaroi trajneri i Napolit.

(Kosova Sot Online)