“E keni keqkuptuar, Barcelona nuk është e brengosur për të ardhmen e Messit”

  • 14 September 2019 - 10:07
“E keni keqkuptuar, Barcelona nuk është e brengosur për të ardhmen e Messit”

Ernesto Valverde beson se komentet e Lionel Messit për të ardhmen te Barcelona janë keqkuptuar, duke insistuar se nuk ka dyshim në përkushtimin e 32-vjeçarit.

Në një intervistë për SPORT të publikuar këtë javë, Messi – i cili do të mungojë sonte kundër Valencias për shkak të lëndimit që po e mban jashtë për më shumë se një muaj, tha se nuk dëshiron që të largohet nga Barça, por dëshiron të fitojë dhe për këtë ka nevojë për një skuadër të fortë.

Ai haptazi shprehu zhgënjimin me drejtuesit e klubit në lidhje me Neymarin, duke thënë “Nuk e di nëse Barcelona ka bërë gjithçka për ta kthyer Neymarin”, duke nxitur kështu thashetheme për raporte jo të mira mes tij dhe klubit.

Messi nënshkroi kontratë katër vjeçare në vitin 2017, në marrëveshje ishte përfshirë klauzola se lojtari mund të largohet i lirë kur të dojë pas sezonit 2019/20.

Sido që të jetë, Valverde beson se Messi do të jetë edhe për shumë vite pjesë e Barcelonës.

“Nuk kam lexuar asgjë. E di çfarë Leo ka për të thënë”, u shpreh Valverde kur u pyet nëse komentet e Messit treguan se ka një përçarje midis lojtarit të yllit të Barçës dhe bordit të klubit.

“Ai shprehet lirshëm dhe më pas njerëzit i keqkuptojnë ato që thotë”.

“Çdo gjë që ai thotë, njerëzit përpiqen të heqin çdo nën-kuptim nga fjalët e tij. Unë mendoj se ai ishte thjesht duke u shprehur natyrshëm, nuk mendoj se duhet të shqetësohemi”.

“Nuk besoj se ka dyshime për të ardhmen e tij. Është klubi që vendos kë të mbajë dhe kë jo, por nuk mendoj se ka shqetësime për këtë, sinqerisht unë nuk jam aspak i shqetësuar”. 

(Kosova Sot Online )