Ipko Superliga, e gjithë vëmendja në Gjilan

  • 14 September 2019 - 10:55
Ipko Superliga, e gjithë vëmendja në Gjilan

Dy kampionët e fundit takohen të shtunën (sot) në Gjilan, me shpresë për të marrë pikët e plota dhe për t’u kthyer në krye të tabelës së Ipko Superligës në futboll.

Ballkani të premten ka dalë në vend të parë me 8 pikë, por Drita apo Feronikeli mund ta kalojnë menjëherë të shtunën atë.

Ndeshja Drita – Feronikeli luhet në stadiumin e qytetit në Gjilan nga ora 16:00 dhe është kryendeshja e xhiros. Në bazë të paraqitjeve të deritashme, Drita e Feronikeli janë vlerësuar skuadrat kryesore të këtij edicioni, së bashku me ndonjë tjetër. Nëse vërtet janë të denja për të sfiduar titullin e kampionit, skuadra nga Gjilani dhe ajo nga Drenasi mund të kuptojnë në këtë derbi.

Drita, që kishte fituar titullin dy edicione më parë, ka nisur edicionin me humbje befasuese nga Ferizaj. Por u këndell shpejt dhe “lidhi” fitoret me Flamurtarin e Dukagjinin. Kampioni në fuqi, Feronikeli, në xhiron e parë fitoi 4:1 ndaj Drenicës. Lëshoi pikët në Suharekë e në xhiron e tretë fitoi 1:0 derbin me Prishtinë.

(Kosova Sot Online)