Fiorentina dhe lëndimet e ndalin Juventusin

  • 14 September 2019 - 17:13
Fiorentina dhe lëndimet e ndalin Juventusin

Pasi e nisi sezonin e ri të Serisë A me dy fitore radhazi, Juventusi u ndal sonte nga Fiorentina me rezultat 0:0, mirëpo nga ndeshja mori edhe goditje të tjera pasi që tre lojtarë të bardhezinjve u lënduan.

Fiorentina pati më shumë raste për ta fituar ndeshjen e sotshme kundër Juventusit, që përfundoi me barazim pa gola, përmes Franck Ribery dhe Dalbertit, mirëpo Juventusi arriti ta marrë një pikë nga ky duel, përkundër që synim i kishte pasur të tri pikët.

Fiorentina s’e kishte fituar asnjë pikë më parë në këtë sezon të ri dhe s’kishte siguruar fitore që 16 xhiro në ligën italiane. Mirëpo, ndryshimi i skemës nga 4-3-3 në 3-5-1 me Franck Riberyn dhe Martin Caceres rezultoi me një rezultat më pozitiv për vendasit.

Kjo ndeshje ishte e veçantë për Juventusit pasi që trajneri Maurizio Sarri u ul në karrigen e trajnerit të “Zonjës së Vjetër” për herë të parë, pasi mungoi në dy xhirot e parë shkaku i pneunomisë. Për këtë ndeshje, atij i munguan Mattia De Sciglio dhe Giorgio Chiellini, ndërsa gjatë ndeshje u detyrua t’i zëvendësojë, shkaku i lëndimit, edhe Douglas Costan, Miralem Pjanicin dhe Danilon.

Përkundër këtyre lëndimeve, Juventusi arriti të dominojë sa i përket posedimit të topit, mirëpo jo edhe me raste. Fiorentina u tregua më e rrezikshme me topin në këmbë, duke krijuar më shumë raste për gol, të cilat megjithatë s’arriti t’i shndërrojë në gola.

Përkundër se i humbi dy pikë, Juventusi mbetet, të paktën për momentin, në pozitën e parë në tabelën e Serie A, më shtatë pikë të fituara nga tre ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Të mërkurën, Juventusin dhe Sarrin i pret një test edhe më i vështirë në “Wanda Metropolitano”, ku do ta nisin rrugëtimin në edicionin e ri të Ligës së Kampionëve, me ndeshjen kundër Atletico Madridit.

(Kosova Sot Online )