PSG-ja pa Neymarin dhe Mbappen kundër Real Madridit

  • 16 September 2019 - 08:24
PSG-ja pa Neymarin dhe Mbappen kundër Real Madridit

Paris Saint-Germaini nuk do të mundë të llogarisë në dy yjet kryesore të skuadrës, Neymar dhe Kylian Mbappe, në përballjen e së mërkurës kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Sulmuesi brazilian Neymar është i pezulluar me tri ndeshje nga sezoni i kaluar, për shkak të komenteve që i kishte bërë në rrjetet sociale për referimin pasi Manchester Unitedi e kishte eliminuar skuadrën e tij në 1/8 e finales.

Neymar u rikthye në fushë për PSG-në të shtunën, për herë të parë ketë sezon pas thashethemeve të vazhdueshme për largimin e tij në drejtim të Barcelonës, dhe u fye nga tifozët e vet përkundër se e shënoi golin e fitores së klubit parisien.

Mbappe, në anën tjetër pësoi një lëndim muskulor kundër Toulouse javë më parë dhe, edhe pse u stërvit i vetëm javën e kaluar, ai pritet të mungojë ndaj gjigantit spanjoll pas dy ditëve.

Edhe Edinson Cavani nuk do të jetë në formacionin startues të skuadrës së Thomas Tuchel duke qenë se ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi. Tuchel do ta ketë në dispozicion të huazuarin nga Interi, Mauro Icardin. 

(Kosova Sot Online)