Përse Barcelona e dëshiron Neymarin kur e ka Fatin?

  • 16 September 2019 - 11:10
Përse Barcelona e dëshiron Neymarin kur e ka Fatin?

Gjashtëmbëdhjetë vjeçi Ansu Fati është ylli që tashmë ka shndritur në këtë fillim të sezonit në La Liga, pas vetëm tri ndeshjeve me Barcelonën. I lindur në Bissau më 2002, ai dhe familja e tij u zhvendosen në Sevilla kur ai ishte vetëm gjashtë vjeç, ku edhe i ra në sy Barçës.

Në ndeshjen e tij të parë si titullar për gjigantin katalonas këtë të shtune, Fati shënoi një gol dhe dha një asist brenda gjashtë minutave.

Me formën që po e tregon, është e vështirë ta kuptosh përse Barcelona u përpoq ta transferojë Neymarin nga PSG-ja këtë verë në radhë të parë, veçanërisht duke e parë çmimin e lartë të brazilianit.

Barça do të përpiqet përsëri në janar ta kthejë Neymarin në klub, por Fati është duke i dhënë klubit shumë arsye për të hequr dorë nga braziliani, sipas MARCA.

1.Çmimi i Neymarit

Barcelonës do t’i duhet të shpenzojë shumë për ish-sulmuesin e vet, ndërsa adoleshenti fati ka dalë nga akademia e klubit.

2. Fati është i parapëlqyeri

Nuk ka dyshim se Fati tashmë është i parapëlqyer i tifozëve në Camp Nou, të cilët ndihen të tradhtuar nga Neymar që e braktisi klubin para dy vjetëve.

3. Lionel Messi

Messi e ka dhënë vulën e aprovimit për Fatin, e cila u bë publike kur një fotografi e tyre duke u përqafuar u shfaq në rrjetet sociale pas debutimit të Fatit kundër Real Betisit. Edhe Neymar dëshirohet në klub nga Messi, megjithatë.

4. Neymar do ta pamundësonte zhvillimin e Fati

Transferimi i Neymarit do të ishte pengesë e patejkalueshme për Fatin. Gara për një vend në formacionin e parë do të ishte tepër e fortë për Fatin, i cili do të ngecte ose do të detyrohej të largohej.

5. Një triumf tjetër për La Masia

Pas kritikave në vitet e fundit, gjërat kanë nisur të duken më mirë për akademinë La Masia dhe Fati është ndër pikat shndritëse të saj.

(Kosova Sot Online)