“Lukaku ndalet vetëm me 10 banane, ndryshe të vret”, analisti shkarkohet për komente raciste

  • 16 September 2019 - 14:19
“Lukaku ndalet vetëm me 10 banane, ndryshe të vret”, analisti shkarkohet për komente raciste

Një analist televiziv italian është shkarkuar nga puna për shkak se kishte bërë komente raciste duke thënë se Romelu Lukaku ndalet vetëm nëse ia jep 10 banane për t’i ngrënë.

Luciano Passirani, gazetar italian i sportit, ishte mysafir në në emisionin “Qui Stuadio a Voi Stadio”, kur i bëri komentet raciste dhe e detyroi drejtorin e emisionit të televizionit Teleombardia, Fabio Ravezzani, ta shkarkojë nga puna menjëherë, duke theksuar se Passirani nuk do të jetë pjesë e emisionit të tij kurrë më.

Në emision po debatohej për ndikimin e Lukakut në Inter deri tani, që prej transferimit të tij nga Manchester Unitedi këtë verë.

“Lukaku është ndër blerjet më të mira që Interi ka mundur t’i bëjë. Nuk e shoh asnjë lojtar tjetër si ai në ndonjë ekip tjetër në Itali. Ai është ndër më të fortit. Më pëlqen ai, më pëlqen shumë sepse ka fuqi: ai është binjak me Duvan Zapatan e Atalanta”, tha Passirani.

“Ata kanë dicka shtesë që lojtarët e tjerë nuk e kanë dhe ata shënojnë gola dhe e çojnë ekipin përpara. Ky lojtar të vret në situata një kundër një, nëse përpiqesh ta ndalosh, ai të hedhë në dysheme. Mënyra e vetme për ta ndalur është mbase t’ia japësh 10 banane për t’i ngrënë”, shtoi ai.

Ravezzani ka thënë se Passirani ka kërkuar falje menjëherë, por ai nuk mund të jetë më pjesë e emisionit.

“Passirani është 80 vjeç dhe për t’i bërë komplimente Lukakut ai e përdori një metaforë e cila doli të ishte raciste”, tha Ravezzani.

Menjëherë pas ardhjes në Serie A, sulmuesi belg u përball me racizëm, kur tifozët e Cagliarit bën thirrje raciste drejtuar atij në ndeshjen e javës së dytë të Serie A.
 

(Kosova Sot Online)