Trajneri i Leicesterit e pranon se Man Unitedi mund ta tundojë yllin e skuadrës së tij

  • 17 September 2019 - 10:38
Trajneri i Leicesterit e pranon se Man Unitedi mund ta tundojë yllin e skuadrës së tij

Brendan Rodgers është i vetëdijshëm se mundësia për të luajtur për Manchester Unitedin apo Liverpoolind mund të jetë tunduese për lojtarët e tij, pasi që James Maddisoni është lojtari i fundit i Leicesterit që po spekulohet për një transferim në Old Trafford.

Spekulimet gjatë afatit kalimtar të verës, që tashmë është mbyllur, sugjeronin se mesfushori 22-vjeçar, James Maddison, kishte ngjallur interesim te disa ndër klubet më të mëdha në Evropë.

Maddisoni kishte qenë nën radarin e Liverpoolin pasi që trajneri Jurgen Klopp ishte në kërkim të një lojtari tjetër për pozitën e dhjetëshit, përderisa drejtuesit e Manchester Unitedit janë duke u bërë gati për një ofertë të re për anglezin.

Trajneri i Leicesterit, Rodgers, e pranon se ai nuk ka shumë çfarë të bëjë për t’i ndalur spekulimet apo për ta larguar interesimin e klubeve të mëdha për futbollistët në “King Power Stadium”.

Pasi e humbi qendërmbrojtësin anglez, Harry Maguire, ndaj Manchester Unitedit për 80 milionë funte, trajneri i “Dhelprave” tha: “Unë nuk shqetësohem. Është e natyrshme në këtë sport, do të ndodhë”.

“Nëse ti je në njërin ndër klubet më të mëdha, ti gjithmonë do të kërkosh diku tjetër për lojtarët më të mirë dhe kur je në një klub si Leicesteri, ti gjithmonë rrezikon t’i humbasësh lojtarët më të mirë. Ky është futbolli”.

“E gjitha që mund ta bëjmë është ta krijojmë një ambient këtu për zhvillimin dhe përmirësimin e lojtarëve dhe nëse diçka ndodh në të ardhmen, atëherë kjo është jashtë kontrollit tonë. Kështu funksionojnë gjërat”.

“Unë nuk shqetësohem shumë për këtë. Unë vetëm përqendrohem që t’i bëj ata sa më të mirë që është e mundur dhe nëse shkojnë diku tjetër, atëherë kështu është jeta. Por, ata janë këtu, për të dhënë gjithçka për tifozët dhe klubin”. /Gazeta Express/

(Kosova Sot Online)