Gazeta zvicerane: E ardhmja e Shaqirit me Kombëtaren e Zvicrës, e pasigurt

  • 17 September 2019 - 11:03
Gazeta zvicerane: E ardhmja e Shaqirit me Kombëtaren e Zvicrës, e pasigurt

Gazeta zvicerane “20 minuten” shkruan se trajneri i Kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkovic, menaxheri i ri i ekipit kombëtar, Pierluigi Tami, dhe Xherdan Shaqiri do të takohen këtë javë për të diskutuar për të ardhmen e futbollistin me ekipin kombëtar.

Së fundi, Xherdan Shaqiri ishte në qendër të vëmendjes pasi që nuk e pranoi ftesën e Zvicrës për të marrë pjesë në dy ndeshjet e shtatorit, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 – kundër Irlandës dhe Gjibraltarit.

Në takimin e caktuar për këtë javë do të vendoset përfundimisht nëse 27-vjeçari do ta përfaqsojë Zvicrën në të ardhmen, pasi që në rast se e refuzon ftesën e Kombëtares për herë të dytë, ai s’do të luajë më për helvetikët e madje dhe nëse ndryshohet trajneri.

Fillimisht, Kombëtarja e Zvicrës njoftoi se Shaqiri s’e ka pranuar ftesën pasi që dëshiron të përqendrohet te Liverpooli. Megjithatë, gazeta zvicerane Blick zbuloi se Liverpooli nuk është duke mbajtur stërvitje pasi që trajneri Jurgen Klopp u ka dhënë të gjithëve pushim.

Pas këtij lajmi të Blickut, mediat zvicerane raportuan se arsyeja e vërtetë prapa mungesës së Shaqirit është emërimi i Granit Xhakës si kapiten i skuadrës, pasi që pretendohet se Shaqiri kishte dashur të jetë ai kapiten.

Teknikisht, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Stephan Lichtsteiner, është ende kapiteni i parë i Zvicrës, mirëpo ai nuk është ftuar për këto ndeshje pasi që nuk e dëshmoi veten gjatë turneut parasezonal.

Lichtsteiner do të mbetet kapiten i parë i Zvicrës deri sa të pensionohet nga Kombëtarja ose vetë Kombëtarja të bëjë të ditur se ai nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Deri atëherë, Xhaka do ta ketë përgjegjësinë e kapitenit.

(Kosova Sot Online)