Suarez dhe mallkimi i tij në Ligën e Kampionëve: Katër vjet pa gol jashtë Camp Nou

  • 17 September 2019 - 12:12
Suarez dhe mallkimi i tij në Ligën e Kampionëve: Katër vjet pa gol jashtë Camp Nou

Luis Suarez do të shkelë në fushën e “Signal Iduna Park” për herë të parë të martën në mbrëmje, kur Barcelona përballet me Borussia Dortmundin, dhe ai do ta bëjë në humor të mirë, pasi u kthye nga lëndimi i tij duke i shënuar dy gola kundër Valencias të shtunën.

E gjitha skuadra e Barcelonës, përfshirë këtu edhe Luis Suarezin, e ka një qëllim kryesor këtë sezon: ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 2015, shkruan Marca

Çuditërisht, sezoni në të cilën Barcelona e çoi lart trofeun e Ligës së Kampionëve ishte i fundit në të cilën uruguaiani kishte shënuar gol jashtë Camp Nou në garën më prestigjioze të Evropës.


Atë sezon, 2015/16, skuadra e Luis Enriques u përball me Romën, Bayer Leverkusenin dhe BATE Borisovin në fazën e grupeve. Barcelona nuk pati shumë probleme dhe e fitoi grupin, mirëpo në ndeshjen hapëse të atij sezoni të Barcelonës në Ligën e Kampionëve, në Stadio Olimpico, Suarezi kishte shënuar në minutën e 20-të. Ai gol mbetet i fundit i Suarezit jashtë Camp Nou në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, kjo s’do të thotë se Suarezi nuk ka qenë vendimtar kur ka luajtur jashtë shtëpisë në Evropë. Atij për shembull nuk iu dha goli që ia dha Barcelonës fitoren në Old Trafford sezonin e kaluar, pasi që u konsiderua autogol i Luke Shaw.

Në përgjithësi, paraqitjet e tij për Barcelonën në Ligën e Kampionëve i kanë shqetësuar disa tifozë, pasi që ai i ka shënuar vetëm pesë gola në Evropë në tre vjetët e fundit. Për dallim, Suarezi i kishte shënuar shtatë dhe tetë gola në dy sezonet e tij të para si pjesë e klubit katalonas.

Megjithatë, me sezonin vijnë edhe mundësi të reja. Uruguaiani do të tentojë t’i japë fund mallkimit të tij jashtë Camp Nou në njërën prej stadiumeve më armiqësore të Evropës – Signal Iduna Park të Dortmundit – por golat që ai i shënoi në fundjavë do t’i japin vetëbesim.

Barcelona nuk ka luajtur në Signal Iduna Park që nga viti 1998, kur ata e luajtën ndeshjen e parë të finales së Super Kupës kundër Dortmundit.

Tani, Suarezi është i gatshëm të kthehet në formacionin e parë dhe pasi që Lionel Messi nuk është 100 për qind i rikuperuar, përkundër që është pjesë e skuadrës që udhëtoi në Gjermani, Barcelona ka nevojë që Suarezi ta gjejë rrjetën e portës në Evropë jashtë Camp Nou. Këtë gjë e di edhe vetë uruguaiani. 

(Kosova Sot Online)