Ylli i Interit pas dështimit kundër Slavia Pragës: Kjo është e papranueshme në Champions

  • 17 September 2019 - 22:11
Ylli i Interit pas dështimit kundër Slavia Pragës: Kjo është e papranueshme në Champions

Milan Skriniar e ka pranuar se lojtarët e Interit ishin në gjumë gjatë barazimit tronditës kundër Slavia Pragës, duke thënë se një paraqitje e tillë e dobët është e papranueshme në Ligën e Kampionëve.

Slavia e tronditi Interin duke e ndalur me barazim në shtëpi në ndeshjen e tyre hapëse në sezonin e ri në Ligën e Kampionëve dhe në debutimin e Antonio Contes për zikaltrit. 

Nicola Barella e shpëtoi Interin nga më e keqja pasi me golin e tij të vonshëm në minutën e 90-të, kur e barazoi rezultatin dhe i kurseu zikaltrit nga turpërimi qysh në ndeshjen e parë në Champions këtë sezon.

“Ata ishin shumë të fortë fizikisht dhe sikur ne të luanim nga fillimi siç luajtëm në minutat e fundit, mendoj se ndeshja do të ishte ndryshe”, tha Skriniar për Sky Sport Italia.

“Ne nuk ishim të përqendruar dhe ramë në gjumë. Jo mirë për ne. Ndeshja e parë është e vështirë por do t’i kemi edhe pesë të tjera. Vuajtën për raste. Nuk e di ku qëndroi problemi, por është e papranueshme të luash kështu në Ligën e Kampionëve”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)