Bonucci: S’do t’i ndërroja trofetë e Serisë A për atë të Ligës së Kampionëve

  • 18 September 2019 - 12:46
Bonucci: S’do t’i ndërroja trofetë e Serisë A për atë të Ligës së Kampionëve

Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci, thotë se ai nuk do t’i shkëmbente titujt e tij të Serisë A për trofeun e Ligës së Kampionëve, mirëpo paralajmëroi se gjiganti italian do të tentojë ta fitojë çdo ndeshje edhe në Evropë.

32-vjeçari Leonardo Bonucci i ka fituar shtatë tituj të Serisë A me Juventusin, mirëpo rrugëtimet e tij në Evropë janë karakterizuar nga zhgënjimet, transmeton Gazeta Express.

Juventusi nuk e ka fituar titullin e garës më prestigjioze të Evropës që nga viti 1996. Bonucci kishte luajtur dy herë në finale të Ligës së Kampionëve, në vitin 2015 dhe 2017, mirëpo pësoi humbje në të dyja.

Bardhezinjtë do të udhëtojnë në Madrid për ndeshjen kundër Atletico Madridit, në kuadër të Grupi D të Ligës së Kampionëve. Përderisa Bonucci dëshiron fitore në këtë ndeshje, ai s’do t’i shkëmbente medaljet e tij të arta të Serisë A për trofeun e Championsit.

“I vlerësoj ato që i kam fituar shumë. Në Juventus, ti gjithmonë duhet të dalësh në fushë i gatshëm për ta dhënë maksimumin tënd. Unë nuk do ta shkëmbeja asnjë kampionat që e kam fituar për diçka tjetër”, tha Bonucci.

“Ne do të shkojmë në fushë me dëshirën për ta dëshmuar se rruga që trajneri e ka marrë është e duhura dhe do të tentojmë të marrin pikë të rëndësishme për ta vazhduar rrugëtimin në Ligën e Kampionëve. Do të jetë një betejë e madhe”.

“Do të jetë një sfidë e vështirë, siç janë të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Ne shkojmë atje me entuziazëm dhe energji sepse të luash në këtë garë është një ëndërr”.

(Kosova Sot Online)