Ronaldo thotë se meriton më shumë Topa të Artë sesa Messi

  • 18 September 2019 - 12:52
Ronaldo thotë se meriton më shumë Topa të Artë sesa Messi

Së fundi është publikuar edhe një pjesë tjetër e intervistës së Cristiano Ronaldos për ITV dhe aty portugezi pretendon se ai meriton të fitojë më shumë Topa të Artë sesa rivali i tij, Lionel Messi.

Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi e kanë pasur një rivalitet të madh gjatë më shumë se dhjetë vjetëve të fundit. Gjatë kësaj periudhe, të dy futbollistët janë shpërblyer me nga pesë Topa të Artë për arritjet e tyre, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, Ronaldo e ka synim të fitojë përfundimisht në debatin se a është ai apo Messi futbollisti më i mirë në botë. Këtë gjë dëshiron ta bëjë duke fituar më së shumti Topa të Artë, gjë të cilën thotë se e meriton.

“Çfarë rekordi dua ta vendos para se të pensionohem? Më së shumti Topa të Artë në histori të futbollit. Do të më pëlqente shumë kjo gjë dhe mendoj se e meritoj”, është shprehur Ronaldo.

“Messi është djalosh fantastik dhe një futbollist fantastik, por mendoj se pasi t’i kem fituar gjashtë, apo shtatë, apo tetë, atëherë do të jem mbi të”.

Ronaldo gjithmonë e ka konsideruar veten futbollistin më të mirë në botë dhe, përkundër që është i vetëdijshëm për preferencat e njerëzve, ai nuk ka asnjë dyshim për cilësinë e vet.

“Unë nuk mund ta kontrolloj çfarë mendojnë njerëzit. Disa njerëz e pëlqejnë këtë apo atë lojtar. Për mua, unë jam lojtari numër një në histori. Unë e di se jam njëri ndër lojtarët më të mrekullueshëm në histori të futbollit”, shtoi portugezi.

Ronaldo – i cili i ka fituar 15 trofe në nëntë vjetët e tij me Real Madridin, përfshirë këtu katër tituj të Ligës së Kampionëve – shpreson se ai do të mbahet mend si njëri ndër futbollistët më të mirë në histori. 

(Kosova Sot Online)