Barazim në Podujevë, Prishtina e shijon fitoren e parë e Ballkani humbjen e parë

  • 18 September 2019 - 18:07
Barazim në Podujevë, Prishtina e shijon fitoren e parë e Ballkani humbjen e parë

Dueli kryesor i xhiros së pestë të IPKO Superligës ndërmjet Llapit dhe Dritës nuk ka sjell fitues. Skuadrat kanë barazuar 2:2 në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në një ndeshje me plot emocione. Prishtina ndërkohë e shijoi fitoren e parë sezonale pasi e mundi Trepçën ’89 në udhëtim 1:0, kurse Ballkani e pësoi humbjen e parë pasi u ndal nga Gjilani, 0:1

Tri ndeshjet kryesore të xhiros së pestë të IPKO Superligës së Kosovës në futboll, të cilat janë zhvilluar sot, kanë qenë mjaft interesante.

Dueli kryesor i kësaj xhiroje ndërmjet Llapit dhe Dritës ka qenë mjaft dramatik.

Skuadrat kanë barazuar me rezultat 2:2, në ndeshjen me plot emocione, të zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Llapjanët kanë kaluar të parët në epërsi përmes Kastriot Selmanit në minutën e pestë.

Kurse, shifrat i barazoi Liridon Leci, i cili shënoi me kokë në minutën e 50-të pas harkimit nga gjuajtja e lirë nga ana e Xhevdet Shabanit.

Gjilanasit kanë befasuar në fund duke e shënuar golin e fitores me Gilberto Fortunato.

Mirëpo, llapjanët nuk u dorëzuan assesi dhe i barazuan shifrat me Behar Maliqin në minutat shtesë.

Ky barazim ia humb Dritës primatin në tabelë, të cilin deri tash e ndante me Gjilanin.

Ndërkohë, Prishtina e shijoi fitoren e parë sezonale. 

Bardhekaltrit e shënuan një fitore të madhe në Mitrovicë, ku e mundën Trepçën ’89 me epërsi minimale, 1:0.

Hero i prishtinasve ishte sulmuesi vushtrrias Ahmed Januzi, i cili e shënoi golin e fitores në minutën e 59-të.

Deri në fund të takimit, mitrovicasit u treguan të pafuqishëm për ta ndryshuar rezultatin.

E dueli i tretë i ka takuar Gjilanit, i cili ia shkaktoi Ballkanit humbjen e parë sezonale.

Golin e fitores për gjilanasit e ka shënuar Gerhard Progni me të filluar pjesa e dytë.

Deri në fund, skuadra e Ismet Munishit u tregua e pafuqishme për ta barazuar rezultatin.

Falë kësaj fitoreje, Gjilani e merr i vetëm primatin në tabelën e IPKO Superligës.

Të enjten do të luhen tri ndeshje të tjera.

Kampioni Feronikeli pret fitore në shtëpi kundër Flamurtarit, ndërsa Vushtrria e kërkon fitoren e dytë sezonale në duel me Drenicën.

(Kosova Sot Online)