Trajneri i PSG-së: Na ndihmoi mungesa e Neymarit dhe Mbappes

  • 19 September 2019 - 09:03
Trajneri i PSG-së: Na ndihmoi mungesa e Neymarit dhe Mbappes

Është e vështirë të besohet se mungesa e tre lojtarëve, të cilësisë së Neymarit, Kylian Mbappen dhe Edinson Cavanit, mund t’i ndihmojë skuadrës ta fitojë një ndeshje, mirëpo ky ishte pikërisht argumenti i Thomas Tuchelit pas disfatës 3:0 të Paris Saint-Germainit kundër Real Madridit të mërkurën.

Neymari mungoi për shkak se është i suspenduar për dy ndeshje në Ligën e Kampionëve, përderisa Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani munguan shkaku i lëndimeve. Përkundër këtyre mungesave, francezët e nisën me një fitore të madhe edicionin e ri të Ligës së Kampionëve.

Përkundër që tre ndër sulmuesit më të njohur në botë nuk luajtën, por e shikuan ndeshjes, skuadra e Tuchelit nuk pati probleme. Angel Di Maria e goditi ish-klubin e tij me dy gola, para se Thomas Meunier ta shënonte edhe një gol të tretë në kohën shtesë. Në anën tjetër, Real Madridi nuk e pati asnjë goditje brenda kuadratit të portës, përveç dy golave të anuluar për parregullsi.

Dhe Tuchel pretendoi pas ndeshjes se mungesa e yjeve të skuadrës së tij mund të ketë qenë një favor i madh për pjesën tjetër të skuadrës së PSG-së, pasi që pritshmëritë ishin më të vogla dhe lojtarët luajtën me më shumë liri kundër “Los Blancos”.

“Ndoshta mungesa e Cavanit, Neymarit dhe Mbappes i ndihmoi skuadrës. Ndoshta presioni ishte më i vogël sepse të gjithë po mendonin se si mund të fitonim pa ata tre lojtarë”, tha Tuchel në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Kjo mund të ndihmojë sepse ne nuk ishim favoritë pa Neymarin, Mbappen dhe Cavanin. Kjo mund ta ketë larguar presionin mbi futbollistët”.

(Kosova Sot Online)