Kane: E kuptoj pse Pochettino është i irrituar në Tottenham

  • 19 September 2019 - 09:14
Kane: E kuptoj pse Pochettino është i irrituar në Tottenham

Sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane, ka thënë se ai e kupton pse trajneri i tij, Mauricio Pochettino është i irrituar, pasi skuadra e tij e çoi dëm epërsinë prej dy golash në ndeshjen kundër Olympiacosit.

Tottenhami e arriti finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, kur pësoi disfatë kundër Liverpoolit, por londinezët nuk e nisin me këmbë të marrë edicionin e ri të kësaj gare evropiane.

Golat e shënuar nga Harry Kane dhe Lucas Moura ia dhanë Tottenhamit epërsinë me rezultat 2:0, pas vetëm 30 minutave lojë në ndeshjen hapëse të Grupit B të Ligës së Kampionëve. Mirëpo, kjo epërsi nuk u zgjati londinezëve.

Daniel Podence shënoi për nikoqirët para se të përfundonte pjesa e parë e ndeshjes, ndërsa më vonë Mathieu Valbuena shënoi nga pika e penalltisë për t’ia siguruar klubit grek një pikë, pasi që ndeshja përfundoi me rezultat 2:2.

Pochettino ishte i mërzitur pas ndeshjes, pasi që kishte menduar se skuadra e tij do ta fitonte këtë ndeshje. Kane nuk e fajëson trajnerin që u ndie në atë mënyrë.

“Ju mund ta shihni pse trajneri është i irrituar. Ai ka qenë këtu që pesë vjet dhe ne ende jemi duke i bërë gabimet e njëjta si në vitin e parë”, u shpreh Kane në një intervistë për BBC, pas ndeshjes.

“Ne nuk jemi të rinj më, nuk jemi pa përvojë, kemi luajtur në ndeshje të mëdha për klubin dhe vendin tonë. Ne duhet të tentojmë ta gjejmë një zgjidhje për këtë problem dhe të përmirësohemi. Kjo është e gjitha që mund të tentojmë ta bëjmë”. 

(Kosova Sot Online)