Heroi i Slavia Pragës ndaj Interit, Olayinka: Dua të luaj për Shqipërinë, isha shumë pranë kombëtares

  • 19 September 2019 - 10:03
Heroi i Slavia Pragës ndaj Interit, Olayinka: Dua të luaj për Shqipërinë, isha shumë pranë kombëtares

Goli i shënuar kundër Interit në Ligën e Kampioneve ka kthyer përsëri në vëmendjen e opinionit sportiv shqiptar emrin e Peter Olayinkas dhe ka rihapur diskutimet, për momentin kryesisht në rrjetet sociale, nëse lojtari duhej ftuar në kombëtaren shqiptare.

Ish-sulmuesi i Bylisit dhe Skënderbeut, në vitet kur ishte pjesë e skuadrës korçare, u përfol vazhdimisht se mund të bëhej pjesë e kuqezinjve, por kjo nuk u bë asnjëherë realitet. Por, me sa duket Olayinka vazhdon të shpresojë që të jetë pjesë e përfaqësueses kuqezi dhe në një intervistë të publikuar në Republikën Çeke, ku luan tani me Slavia Pragën, insiston se dëshiron të luajë me Shqipërinë dhe se ka qenë shumë pranë ftesës së saj edhe në të kaluarën, përcjell Visport. “Kishte shumë diskutime rreth kësaj mundësie dhe nuk kam qenë kundër. Në një moment isha shumë afër, le të themi 60 me 40, për t’iu bashkuar Shqipërisë”.

“Unë mësova pak gjuhën dhe më tërhiqte ideja. Nuk është bërë ende realitet, por nëse çdo gjë shkon në rregull, do të dëshiroja të luaja për ata”. “Ide e këndshme, por nuk më ndikon. Nëse më thërrasin ndonjëherë në të ardhmen, do të jetë e shkëlqyer, do të jem i lumtur. Por nëse jo, ka opsione të tjera”, janë fjalët e Olayinkas, i cili e lë të hapur edhe opsionin e vendlindjes së tij, Nigerisë.

Me golin e shënuar kundër Interit e sidomos me paraqitjen që dha në fushën e lojës, me siguri që interesi për të nuk do të mungojë.

(Kosova Sot Online )