Real Madridi e humb ndeshjen e parë të Championsit për herë të parë pas 14 vjetëve

  • 19 September 2019 - 10:23
Real Madridi e humb ndeshjen e parë të Championsit për herë të parë pas 14 vjetëve

Disfata e së mërkurës kundër Paris Saint-Germainit e shënoi herën e parë që Real Madridi pësoi disfatë në ndeshjen e parë të një edicioni të ri të Ligës së Kampionëve që prej vitit 2005.

“Los Blancos” u mposhtën me rezultat 3:0 në ndeshjen kundër Paris Saint-Germainit, që fituan falë dy golave të Angel Di Marias dhe një goli në minutat e fundit të ndeshjes nga Thomas Meunier.

Edhe hera e fundit që Real Madridi e kishte humbur ndeshjen e parë të një edicioni të ri të Ligës së Kampionëve kishte qenë në Francë dhe madrilenët kishin pësuar disfatë me rezultat 3:0 edhe atëherë.

Golat e shënuar nga John Carew, Juninho dhe Sylvian Wiltord bënë që Lyoni ta fitojë atë ndeshje të zhvilluar në “Stade Gerland”, gjatë sezonit 2005/06.

Skuadra e Vanderlai Luxemburgot e kishte arritur fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve në atë vit, por pastaj ishte eliminuar nga Arsenali në 1/8 e finales.

Kjo disfatë kundër PSG-së është vetëm e pesta për Zinedine Zidane si trajner në Ligën e Kampionëve dhe vetëm e dyta në ndeshjet e fazës së grupeve.

Vetëm dy nga 64 kampionët e Evropës në histori e kanë humbur ndeshjen e parë të rrugëtimit të tyre në garën më prestigjioze të kontinentit. 

(Kosova Sot Online )