Neuer dëshiron t’i japë fund zënkës me Ter Stegenin: Ne jemi një skuadër

  • 19 September 2019 - 14:24
Neuer dëshiron t’i japë fund zënkës me Ter Stegenin: Ne jemi një skuadër

Manuel Neuer tentoi t’i japë fund debatit me Marc-Andre ter Stegenin, pasi presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, e kritikoi portierin e Barcelonës për deklaratat e tij të fundit.

Kapiteni i Gjermanisë, Manuel Neuer, dhe rivali i tij për pozitën e portierit në ekipin kombëtar, Marc-Andre ter Stegen, u përfshinë në një debat publik gjatë kësaj jave, pasi ylli i Barcelonës e shprehu pakënaqësinë e vet që nuk u inkuadrua në lojë gjatë ndeshjeve të shtatorit të Gjermanisë.

33-vjeçari Neuer iu përgjigj duke thënë se ai po e vendoste veten para skuadrës, kritikojë që pastaj Ter Stegeni e quajti të papërshtatshme.

Debati mes tyre u duk se u ndal, mirëpo atë e nxiti sërish presidenti i Bayernit, Hoeness, i cili e goditi Ter Stegenin pas fitores 3:0 të Barcelonës kundër Crvena Zvezdas në Ligën e Kampionëve, të mërkurën.

Hoeness i akuzoi një pjesë të mediave gjermane se po e trajtojnë portierin 27-vjeçar të Barcelonës sikur t’i kishte fituar 17 trofe të Kupës së Botës dhe insistoi se Neueri është portieri më i mirë nga ata të dy.

Edhe pse e vlerëson mbështetjen e presidentit të klubit të tij, Neueri dëshiroi t’i japë fund debatit me bashkëkombësin e vet.

“Është gjithmonë mirë të kesh njerëz që të mbështesin përreth vetes. Unë thjesht e thashë një gjë për diçka sepse u pyeta pas ndeshjes”, tha Neuer, kur u pyet për komentet e fundit të Hoenessit.

“Unë nuk dua ta kem një debat dhe të flas për cili mund të mbrojë më mirë se tjetri. Ne jemi një skuadër dhe unë jam lojtar skuadre. Ne e dimë se i kemi katër portierë të mirë, që mund të luajnë bashkë dhe mund të bëjmë gjithçka për Gjermaninë. Kështu që s’dua të flas më për këtë”.

Hoeness kishte vazhduar duke e kritikuar Federatën e Futbollit e Gjermanisë për mungesën e mbështetjes adekuate për lojtarët e Bayernit.

Më herët këtë vit, trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, e mori vendimin e papritur për t’i lënë jashtë skuadrës fituesit e Kupës së Botës 2014 – Thomas Muller, Jerome Boateng dhe Mats Hummels.

Megjithatë, Neuer mbetet në planet e Low ende dhe ai së fundi e bëri paraqitjen e 90-të për ekipin kombëtar – 68 më shumë sesa ylli i Barcelonës, Ter Stegeni.

(Kosova Sot Online)