FIFA i bën thirrje Iranit t’i lejojë gratë në stadiume

  • 19 September 2019 - 15:20
FIFA i bën thirrje Iranit t’i lejojë gratë në stadiume

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka thënë Iranit që ka ardhur koha që gratë të lejohen të hyjnë brenda stadiumeve të futbollit dhe se FIFA pret zhvillime pozitive në këtë aspekt, qysh nga ndeshja e tyre e radhës, në tetor.

Përderisa gratë e huaja kanë qasje të kufizuar nëpër stadiume gjatë ndeshjeve, gratë iraniane nuk lejohen të hyjnë në stadiume kur në fushë po luajnë ekipe të djemve, që prej revolucionit islam në vitin 1979.

Infantino ka qenë një dialog të vazhdueshëm me autoritetet e futbollit iranian dhe po shpreson se tifozet e futbollit në Iran do të lejohen së shpejti që të kthehen në stadiume.

“Unë shpresoj se Federata e Iranit dhe autoritetet iraniane do t’i pranojnë thirrjet tona të vazhdueshme për të gjetur zgjidhje ndaj kësaj situate të papranueshme”, shkroi Infantino në deklaratën e lëshuar nga FIFA.

“Unë i kam kontaktuar ata disa herë gjatë kohës së fundit dhe të njëjtën gjë e ka bërë edhe administrata e FIFA-s. Ne e kemi një delegacion të anëtarëve të FIFA-s në Iran për momentin dhe mezi po pres të dëgjoj lajme të mira nga ta”. 

“Pozicioni jonë është i qartë dhe i vendosur. Gratë duhet të lejohen brenda stadiumeve të futbollit në Iran”.

“Ne e kuptojmë se ka hapa dhe procese që duhet të ndërmerren para se të arrihet kjo në mënyrë të duhur dhe të sigurt. Por, tani është momenti për t’i ndryshuar gjërat dhe FIFA pret zhvillime pozitive, duke filluar qysh nga ndeshja e radhës e Iranit në shtëpi, në tetor”.

Irani – që është kualifikuar për pesë edicione të Kupës së Botës, përfshirë këtu turneun e fundit në Rusi – do të përballet me Kambodinë më 10 tetor në ndeshjen e tyre të parë në shtëpi në kuadër të kualifikimeve për Katar 2022.

Këtë muaj, një tifoze vdiq pasi e dogji veten në shenjë protestë për arrestimin e saj shkaku se shkoi në një ndeshje futbolli.

Sahar Khodayari, e njohur si “Vajza e Kaltër” për shkak të ngjyrave të skuadrës së saj të preferuar, Esteghal, vdiq në spital pasi e dogji veten jashtë një gjykate, ku besohej se ajo do të dënohej me burgim për gjashtë muaj, pasi shkoi në stadium e maskuar si djalë.

Vdekja e Khodayarit shkaktoi reagime të mëdha në mediat botërore, ku kërkohej suspendimi apo përjashtimi i Federatës së Futbollit të Iranit nga FIFA, pasi që statutet e vetë FIFA-s e dënojnë diskriminimin në baza gjinore me suspendim ose përjashtim.

(Kosova Sot Online)