“Në fund të sezonit do të largohem nga Formula 1”

  • 20 September 2019 - 09:49
“Në fund të sezonit do të largohem nga Formula 1”

Robert Kubica do të largohet nga ekipi Williams në fund të sezonit. Piloti i njohur polak u rikthye në botën e Formulës 1 pas një mungese 8-vjeçare, ku natyrisht shumë influencoi edhe dëmtimi tepër i rëndë që pësoi në shkurtin e vitit 2011 në garat e rally-t, sidoqoftë pavarësisht karakterit shumë të fortë dhe riaftësimit nga problemet e ndryshme fizike, rezultatet në pistë nuk përmbushën pritshmëritë apo standardet e tij si pilot.

34-vjeçari nga Krakovi deklaroi se sezoni i sivjetshëm ka qenë shumë impenjativ dhe për të vlerësuar në mënyrë sa më të mirë të gjitha mundësitë që i ofrohen për të ardhmen ai vendosi për të mos vazhduar më me skuadrën Williams.

Kubica ishte për shumë kohë në qendër të vëmendjes në Formula 1, pas incidentit që pësoi në Ronde di Andora, në Provincën e Savonës pak përpara se të startonte edicioni i vitit 2011, kur piloti polak pësoi dëmtime të tmerrshme në gjithë krahun e djathtë, në këmbë në pjesën e shpatullës si dhe fraktura të tjera në trup, për shkak të shpimit të makinës së tij Skoda Fabia nga një pjesëz metali e barrierave mbrojtëse ndanë rrugës.

Siç dihet asokohe u desh më shumë se një orë për ta nxjerrë Robert Kubicën nga makina e tij, ndërsa më pas piloti polak iu nënshtrua një operacioni që zgjati plot 7 orë, nën kujdesin e 7 doktorëve të ndryshëm që punuan njëkohësisht të ndarë në dy grupe, ndërhyrje tepër e gjatë kirurgjikale që i shpëtoi padyshim jetën, ndërkaq ndihmësi i tij në po të njëjtën kabinë shpëtoi për mrekulli pa asnjë dëmtim.

Gjatë fazës së rehabilitimit vetëm një vit më vonë Kubica rrëshqiti shumë pranë shtëpisë së tij në Itali, duke thyer për herë të dytë këmbën, dëmtim që shtyu rikthimin e pilotit nga Krakoëi në gara edhe për 12 muaj të tjerë. Në vijim Kubica u përqendrua në garat e kampionatit botëror të rally-it dhe pas përpjekjeve të jashtëzakonshme u rikthye sërish në botën e Formulës 1, fillimisht si testues i ekipit Williams dhe më pas si pilot me të drejta të plota i makinës nga Grove.

Siç dihet skuadra britanike nuk po kalon momente të mira në këtë sport dhe makinat Williams – Mercedes konsiderohen si njëvendëshet më të ngadalta të kampionatit të sivjetshëm. Robert Kubica ka marrë thjesht një pikë të vetme në vitin 2019, në fund të muajit korrik, në Hockenheim në Çmimin e Madh të Gjermanisë dhe pozicionohet në vendin e parafundit, në klasifikimin e përgjithshëm të 20 pilotëve pjesëmarrës, duke lënë pas vetes vetëm shokun e tij të ekipit George Russell, gjithsesi 21-vjeçari britanik është treguar më i shpejtë në mënyrë konstante në provat kualifikuese.

Kubica u shpreh se Formula 1 i pëlqen vërtet shumë, por nuk ka ndërmend të garojë me çdo kusht në këtë sport. Veterani polak shtoi se garat automobilistike vazhdojnë t’i japin shumë kënaqësi dhe se do të habitej pa masë nëse nuk do të garonte fare gjatë vitit të ardhshëm, sidoqoftë zëra të ndryshëm dhe shtypi gjerman kanë hamendësuar një kalim të 34-vjecarit në vitin 2020 në kampionatin DTM, Deutsche Tourenwagen Masters.

(Kosova Sot Online )