Dani Alves ankohet për cilësinë e fushave në Brazil

  • 20 September 2019 - 10:18
Dani Alves ankohet për cilësinë e fushave në Brazil

Është brazilian, por e ka të vështirë të përshtatet me futbollin e vendit të tij.

Referenca është për Dani Alvesin, që para se ta mbyllte karrierën, vendosi të luante për Sao Paolon.

Në një intervistë për TV Globo, ish-mbrojtësi i Barcelonës dhe i PSG-së është ankuar për cilësinë e fushës, sikurse bëri edhe Messi gjatë Copa Americas.

“Është shumë e vështirë të luash këtu për shkak të gjendjes së keqe të fushave,” – u shpreh fillimisht 36-vjeçari, i cili shpjegon më pas ndryshimin e rolin nga mbrojtës i djathtë në mesfushor.

“Jam një futbollist që kombinoj shumë me shokët, mund t’i ndihmoj në ndërtimin e lojës dhe kontrollin e topit. E kam bërë këtë rol edhe në skuadrat e tjera ku kam luajtur.”

Alves insiston në faktin se stili i lojës në Brazil e minimizon kontributin e tij si anësor, ndaj preferon të luajë në mesfushë.

“Në mesfushë mund të vendos rregull, ndërsa nga krahët mund të vrapoj shumë, por pa patur kontakt me topin e për rrjedhojë gjithçka përfundon me mungesën e ritmit.”

(Kosova Sot Online)