Conte: “Derbi është gjithmonë special, do të përballemi me një skuadër të mirë”

  • 21 September 2019 - 11:47
Conte: “Derbi është gjithmonë special, do të përballemi me një skuadër të mirë”

Edhe Antonio Conte ka dalë sot në konferencën për shtyp në prag të derbit me Milanit, që do të luhet nesër në mbrëmje në “San Siro”.

Tekniku zikaltër e ka cilësuar derbin si një sfidë speciale dhe ka kërkuar që të tijtë të mos përsërisin gabimet me Slavian, për të shkuar drejt suksesit.

Si e prisni ndeshjen derbi, që vjen menjëherë pas hapit fals në Champions?
Derbi është gjithmonë special dhe kështu do të jetë edhe nesër. Po përgatitemi në mënyrat më të mira të mundshme, pasi do të përballemi me një skuadër shumë të mirë. Ne kërkojmë të bëjmë gjithmonë më të mirën, por jo gjithmonë ia dalim të shprehemi ashtu siç duhet dhe ashtu siç përgatitemi në stërvitje. Megjithatë shoh te të gjithë djemtë një disponibilitet maksimal për të bërë mirë në fushën e lojës.

Çfarë ndodhi mes Lukakut dhe Brozoviç?
Interi është gjithmonë shumë i përfolur në media dhe kam, vënë re që kështu ka qenë edhe në të kaluarën, por kjo nuk do të thotë që duhet të mësohemi me këtë situatë. Është një situatë normale, të cilën klube të tjera dinë ta fshehin më mirë dhe ta zgjidhin brenda vetes. Kemi një diferencë të madhe të rritjes brenda dhe jashtë fushës. Kemi boshllëqe të mëdha dhe duhet të jemi të mirë në plotësimin e tyre. Ne duhet të ndryshojmë zakonet e këqija të gjithë së bashku.

Çfarë mendoni për Giampaolon?
Mendoj se atë që ka arritur, e ka merituar tërësisht. Ka pasur një rrugë të rëndësishme, ashtu si unë dhe ia doli. E ka merituar të vijë dhe të punojë në Milano, duke dëshmuar se është i përgatitur dhe i fiksuar pas futbollit.

Skuadra duket sikur vuan ende ulje-ngritjet e sezoneve të kaluara…
Unë nuk dua të flas për limitet e kësaj skuadre në sezonet e kaluara, por mund të them se në 9 vitet e fundit, iu Interi nuk ka qenë konkurrues, ulje-ngritjet kanë qenë shkaku kryesor. Ky nuk është opinioni im, por e thonë statistikat. Të martën në Champions kemi luajtur kundër një skuadre të fortë, që sezonin e kaluar u eliminua vetëm nga Chelsea në Europa League dhe ka lojtarë me eksperiencë. Te Interi kishte shumë futbollistë që nuk kishin luajtur ndonjëherë në Champions, por edhe të tjerë që nuk kanë më shumë se 10 ndeshje në Europë. Mendoj se të tilla kompeticione kanë nevojë për eksperiencë, por duhet që të gjithë së bashku të gjejmë gabimet dhe të punojmë për të mos i përsëritur.

Brozoviç duket më pak vendimtar në fushë…
Nuk besoj se kjo ka të bëjë me pozicionin në fushë dhe avancimin e Sensit, pasi edhe më përpara ka luajtur me vetëm një lojtar në krah, ndërsa tani ka dy. Ka pasur një nisje të shkëlqyer të kampionatit dhe po vazhdon të bëjë mirë. Unë mendoj se ai ka një marzh të jashtëzakonshëm përmirësimi, që mund ta shndërrojë në një nga mesfushorët më të mirë në botë. E kam njohur vetëm nga televizori, por tani që e stërvit vetë, shoh se ku mund të arrijë.

Si është gjendja e Sanchez?
Ai po punon mjaft mirë dhe po bën disa hapa të rëndësishme për t’u marrë në konsideratë për të luajtur nga fillimi. Është një futbollist që mund të na sjellë shumë eksperiencë në Champions dhe në kampionat. Mund të them se po shoh përgjigjet që kam kërkuar prej tij.

(Kosova Sot Online)