Asnjë minutë lojë për Rashicën në disfatën e Werder Bremenit

  • 21 September 2019 - 20:55
Asnjë minutë lojë për Rashicën në disfatën e Werder Bremenit

Pasi mungoi në fushën e lojës për tri javë shkaku i një lëndimi, ylli kosovar i Werder Bremenit, Milot Rashica, u kthye në skuadër sot për ndeshjen kundër Leipzigut. Megjithatë, ai nuk e luajti asnjë minutë në këtë ndeshje, të cilën Leipzigu e fitoi me rezultat 3:0.

Milot Rashica kishte pësuar lëndim në ndeshjen hapëse të sezonit të ri të Bundesligës për Werder Bremenin, kundër Dusseldorfit. Pas 65 minutave lojë, Rashica ishte detyruar ta lë ndeshjen dhe pastaj mungoi në tri ndeshjet e radhës të klubit gjerman.

Ai mungoi edhe në ndeshjet e shtatorit të ekipit kombëtar të Kosovës, që i zhvilloi dy ndeshje në kuadër të Grupit A kualifikuar për Kampionatin Evropian 2020 – kundër Republikës Çeke dhe Anglisë.

Megjithatë, ashtu siç ishte raportuar gjatë javës, Rashica sot ishte në skuadrën e Bremenit për ndeshjen kundër Leipzigut, që nisi në orën 18:30. Megjithatë, trajneri Florian Kohfeldt vendosi të mos e inkuadrojë kosovarin në lojë as nga stoli, duke ia besuar minutat e fundit të lojës Philipp Bargfredes, Luc Ihorstit dhe Claudio Pizarros.

Ndeshja përfundoi me rezultat 3:0 në favor të Leipzigut, që luajti me dhjetë lojtarë në fushë prej minutës së 64-të të ndeshjes, kur Konrad Laimer u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhe për një prekje të topit me dorë.

Tri pikët e fituara në këtë ndeshje e kthejnë Leipzigun në kreun e tabelës së Bundesligës, me dy pikë më shumë sesa Bayerni. Ndërsa, Bremeni radhitet në pozitën e dhjetë në tabelë, me gjashtë pikë të grumbulluara nga pesë ndeshjet e para. 

(Kosova Sot Online)