Interi e fiton derbin kundër Milanit, vazhdon me rekord të përsosur në Serie A

  • 21 September 2019 - 23:01
Interi e fiton derbin kundër Milanit, vazhdon me rekord të përsosur në Serie A

Interi arriti të sigurojë fitore me rezultat 2:0 në ndeshjen kundër Milanit, e cila u zhvillua sonte në stadiumin “San Siro”, në kuadër të xhiros së katërt të Serisë A. Kjo fitore është e katërta në po aq ndeshje për zikaltrit këtë sezon.

Djemtë e Antonio Contes e kanë vazhduar ecurinë mbresëlënëse në këtë fillim të sezonit të ri të Serisë A, duke fituar në Derby della Madonnina dhe duke mbetur skuadra e vetme që i ka fituar të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani.

Përderisa që të dy skuadrat patën posedim të barabartë të topit në këtë ndeshje, Interi u tregua më i rrezikshëm me topin në këmbë, duke goditur brenda kuadratit të portës plot shtatë herë,në krahasim me një herë të Milanit.

Që të dyja skuadrat shënuan nga një herë në pjesën e parë të ndeshjes, mirëpo goli i Milanit u anulua për shkak të prekjes me dorë, ndërsa goli i Interit për shkak të një pozite jashtë loje.

Drama në “San Siro” vazhdoi edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që goli i shënuar nga Marcelo Brozovic, në minutën e 49-të të ndeshjes, u kontrollua nga VAR-i për disa momente, para se gjyqtari ta rishikonte aksionin edhe një herë në ekranin afër fushës.

Pas këtij goli në fillim të pjesës së dytë, Milani i Marco Giampaolos, që e kishte pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet paraprake, e pësoi edhe golin e dytë, të shënuar nga Romelu Lukaku.

Tri pikët e fituara nga kjo ndeshje e kthejnë Interin sërish në kreun e tabelës së Serisë A, me 12 pikë të fituara nga katër ndeshje të zhvilluara, ndërsa Milani radhitet i nënti, me gjashtë pikë të fituara nga katër ndeshjet e para.

Pas pesë ditësh, Milanin e pret një tjetër sfidë në Serie A, kundër Torinos, ndërsa Interi do të përballet me Lazion pas katër ditësh. 

(Kosova Sot Online)