Valverde e pranon fajin: Unë jam përgjegjës për formën e dobët të Barcelonës

  • 22 September 2019 - 10:07
Valverde e pranon fajin: Unë jam përgjegjës për formën e dobët të Barcelonës

Ernesto Valverde e ka pranuar se faji për formën e dobët të Barcelonës bie mbi supet e tij, pas humbjes tronditëse 2:0 kundër Granadës të shtunën, e cila veçse e konfirmon fillimin më të keq të gjigantit katalonas në ligë në 25 vjetët e fundit.

Ramon Azeez dhe Alvaro Vadillo shënuan nga një herë për ta fundosur Barçën dhe për ta çuar klubin e promovuar këtë sezon në krye të renditjes tabelore në La Liga.

Si pasojë e rezultateve të dobët, dy fitore, një barazim dhe dy humbje, skuadra e Valverdes ngel në pozitën e shtatë në ligë.

Barcelona ka dështuar të fitojë në shtatë ndeshjet e fundit jashtë stadiumit të vet në të gjitha garat, duke bërë që presioni mbi trajnerit të rritet vazhdimisht.

Edhe pse Valverde e udhëhoqi Barçën drejt titullit kampion në dy sezonet e para, katalonasit e humben finalen e Kupës së Mbretit kundër Valencias dhe u eliminuan nga Liga e Kampionëve prej Liverpoolit në mënyrë të turpshme sezonin e kaluar.

Valverde e pranon se faji për rezultatet e dobëta duhet të bjerë mbi supet e trajnerit.

“Në fund lojtarët janë aktorët dhe trajneri është përgjegjës”, tha Valverde në konferencë për media pas humbjes.

“Unë ndiej përgjegjësi për atë që ka ndodhur. Mund ta humbasësh, ama kur humb duhet ta meritosh të fitosh dhe sot ne nuk e merituam fitoren”, shtoi ai.

“Jashtë stadiumit tonë, ne nuk po regjistrojmë rezultate të mira. Kur po ndodh në katër ndeshje, atëherë është simptomë që ne nuk jemi mirë”, theksoi ai.

(Kosova Sot Online)