Presidenti i FIFA-s dëshiron t’i japë fund racizmit: Jashtë futbollit dhe jashtë shoqërisë

  • 24 September 2019 - 08:32
Presidenti i FIFA-s dëshiron t’i japë fund racizmit: Jashtë futbollit dhe jashtë shoqërisë

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka nxitur të gjithë në botën e futbollit të punojnë për ta larguar racizmin një herë e përgjithmonë, në fjalimin e tij në natën e ndarjes së çmimeve të FIFA-s për më të mirët e vitit, The Best.

Gianni Infantino foli para turmës në Milan të hënën në mbrëmje, para se t’ia dorëzojë Lionel Messit çmimin për futbollistin më të mirë të vitit në botë.

Por, së pari ai foli për incidentet gjatë ndeshjes së Atalantas kundër Fiorentinës në Serie A të dielën.

Ndeshja, që përfundoi me barazim 2:2, në stadiumin “Ennio Tardini” u ndal për tre minuta pasi që mbrojtësi i Fiorentinës, Dalbert, i huazuar nga Interi, i raportoi te gjyqtari thirrjet raciste nga tribunat.

“Unë dua ta them këtë këtu në vendlindjen time, Italinë. Dje, sërish, ne ishim dëshmitarë të racizmit në kampionatin italian “, u shpreh Infantino.

“Kjo nuk është e pranueshme më. Duhet ta themi këtë. Ne duhet t’i themi jo racizmit, në çfarëdo mënyre. T’i themi jo racizmin në futboll, t’i themi jo racizmit në shoqëri. Por, ne nuk duhet vetëm ta themi këtë më, duhet ta luftojmë”.

“Duhet ta përjashtojmë racizmin një herë e përgjithmonë në Itali dhe në pjesën tjetër të botës. Jashtë futbollit dhe jashtë shoqërisë”.

Sulmuesi Romelu Lukaku ishte viktimë e thirrjeve raciste gjatë fitores së Interit me rezultat 2:1 kundër Cagliarit këtë muaj, ndërsa Hellas Verona i mohoi lajmet se tifozët e klubit bënë thirrje raciste ndaj Franck Kessiet gjatë disfatës 1:0 kundër Milanit.

Kessie i kritikoi pretendimet e Veronës se gjyqtari kishte qenë caku i fishkëllimave të tifozëve, duke e quajtur këtë deklaratë “të turpshme dhe të papranueshme”.

Megjithatë, incidentet e tilla nuk kanë ndodhur vetëm në Itali, pasi që shumë lojtarë të Premierligës, përfshirë këtu Paul Pogba, Marcus Rashford dhe Tammy Abraham, kanë përjetuar një gjë të tillë në rrjete sociale. 

(Kosova Sot Online )