Mesazhi i Ronaldos pasi Messi u shpall më i miri: S’mund të bësh gjithçka

  • 24 September 2019 - 09:50
Mesazhi i Ronaldos pasi Messi u shpall më i miri: S’mund të bësh gjithçka

Cristiano Ronaldo e postoi një mesazh në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, pasi vendosi të mos shkojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të FIFA-s, ku rivali i tij, Lionel Messi, u emërua futbollisti më i mirë i vitit në botë.

Ylli portugez i Juventusit u rangua futbollisti i tretë më i mirë në botë, prapa Lionel Messit të Barcelonës dhe Virgil van Dijkut të Liverpoolit, por ai vendosi të mos shkojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të FIFA-s të hënën, në Milan.

34-vjeçari nuk do të luajë në ndeshjen e radhës të Juventusit në Serie A, kundër Brescias të martën, për shkak të një lëndimi të lehtë. Mirëpo, pas ceremonisë së FIFA-s, Ronaldo e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta postuar një mesazh.

“Durimi dhe këmbëngulja janë dy karakteristikat që e bëjnë dallimin mes një profesionisti dhe një amatori”, shkroi Ronaldo.

“Gjithçka që është e madhe sot ka nisur nga diçka e vogël. Nuk mund të bësh gjithçka, por bëj gjithçka që mundesh për t’i bërë ëndrrat e tua realitet dhe mbaje në mend që pas çdo nate, vjen mëngjesi”.

(Kosova Sot Online )