Kapiteni i Liverpoolit: Nuk shqetësohemi për Man Cityn

  • 24 September 2019 - 10:20
Kapiteni i Liverpoolit: Nuk shqetësohemi për Man Cityn

Jordan Henderson insiston se Liverpooli nuk është i përqendruar te Manchester City apo ta thyejë ndonjë rekord, pasi që “The Reds” duan të mendojnë gjithmonë vetëm për ndeshjen e radhës së tyre.

Skuadra e Jurgen Kloppit ka arritur ta thyejë rekordin personal të klubit duke i shënuar 15 fitore radhazi në Premierligë. Liverpooli për momentin është lideri i Premierliga, me pesë pikë para rivalit, Manchester Cityt.

Megjithatë, Manchester City është skuadra që e ka për momentin vëmendjen e të gjithëve, pas fitores 8:0 kundër Watfordit në fundjavë, ku skuadra e Pep Guardiolës e bëri njërën ndër paraqitjet më dominuese në sezonet e fundit të Premierligës.

Paraqitja e Manchester Cityt në atë ndeshje i bëri përshtypje edhe Hendersonit, mirëpo kapiteni i Liverpoolit nuk është i shqetësuar nga rezultatet e skuadrave të tjera.

“Ka të bëjë me atë që ne duhet ta bëjmë. I gjithë përqendrimi ynë është te vetvetja, ne nuk mund të shqetësohemi për askënd tjetër. Ne po fokusohemi te kundërshtari ynë i radhës e te asnjë skuadër tjetër”, tha Henderson.

“Ndeshja e radhës do të jetë më e madhja. Nuk nuk do të shqetësohemi për asnjë skuadër tjetër. Jam i sigurt se neutralët do t’i shikojnë rezultatet e tjera dhe natyrisht që ishte një paraqitje e mirë nga City”.

“Por, për ne, ne duhet të performojnë mirë dhe të fitojmë pikë, sa më shumë që të mundemi, dhe ta shohim se ku do të arrijmë në fund të sezonit. Fitoret janë të rëndësishme, duke fituar sa më shumë pikë, rekordet vijnë kështu”.

“Ne nuk mund t’i ndjekim rekordet sepse ato rekorde do të vijnë me paraqitjet tona dhe me rezultatet. Por, për ne, motivimi ynë janë tre pikë, në çdo ndeshje që e luajmë”.

Me fitoren e Liverpoolit kundër Chelseat në Stamford Bridge të dielën, skuadra e Kloppit u bë ekipi i parë që arrin t’i fitojë gjashtë ndeshjet e para në dy sezone radhazi.

(Kosova Sot Online)