Allegri, favorit për t’u emëruar trajneri i ri i Man Unitedit

  • 24 September 2019 - 11:06
Allegri, favorit për t’u emëruar trajneri i ri i Man Unitedit

sh-trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, po konsiderohet nga mediumet italiane si kandidati favorit për ta zëvendësuar Ole Gunnar Solskjaerin në pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit.

Massimiliano Allegri kishte thënë se do ta marrtë një vit pushim, pasi i ndau rrugët me Juventusin në fund të sezonit të kaluar. Mirëpo, që nga atëherë, ai është përfolur për një emërim të mundshëm në Real Madrid dhe Barcelonë.

Tani, e përditshmja italiane, Tuttosport, pretendon se Manchester Unitedi do të tentojnë ta emërojë italianin 52-vjeçar në pozitën e trajnerit të “Djajve të kuq”, nëse vendoset përfundimisht të shkarkohet Solskjaer.

Trajneri norvegjez është legjendë e klubit, mirëpo, këtë sezon, ai e ka bërë startin më të dobët të një sezoni që kur ka filluar Premierliga, në vitin 1992.

Allegri gjithashtu besohet se ka qenë duke i ndjekur kurse intensive për ta mësuar gjuhën angleze, duke i nxitur kështu edhe më shumë spekulimet se karriera e tij mund të vazhdojnë në Premierligë.

Gazeta italiane Tuttosport shton se gjiganti anglez është gjithashtu duke e vëzhguar ish-mbrojtësin e Interit, Laurent Blanc.

Blanc kishte luajtur në “Old Trafford” mes viteve 2001 dhe 2003 dhe ka qenë i papunë që nga viti 2016, pasi arriti t’i fitojë tre tituj radhazi të Ligue 1 me Paris Saint-Germainin.

(Kosova Sot Online)