“Më i miri në histori!” – Përgjigja e Portugalisë, pasi Ronaldo humbi kundër Messit

  • 24 September 2019 - 12:06
“Më i miri në histori!” – Përgjigja e Portugalisë, pasi Ronaldo humbi kundër Messit

Lionel Messi dje e fitoi çmimin e FIFA-s për futbollistin më të mirë të vitit në botë, përderisa Ronaldo mbeti në vendin e tretë në këtë garë. Megjithatë, ekipi kombëtar i Portugalisë i doli në përkrahje kapitenit të vet, të cilin e konsideron “më të mirin në histori”.

Sulmuesi i Juventusit kishte qenë fituesi i parë i këtij çmimi në vitin 2016, kur FIFA e kishte inauguruar këtë çmim për futbollistin më të mirë në botë brenda një viti, transmeton Gazeta Express.

Ai e fitoi çmimin sërish në vitin 2017 , mirëpo mbeti prapa Luka Modricit një vit më vonë. Ndërsa, në ceremoninë e këtij viti, të mbajtur në Milano, ylli i Barcelonës, Messi, i fitoi votat e nevojshme për t’u shpallur më i miri.

Edhe pse Messi u bë mbrëmë futbollisti i vetëm që shpallet gjashtë herë lojtari më i mirë i vitit nga FIFA, 34-vjeçari portugez ende ka baras Topa të Artë me rivalin e tij – të dy i kanë nga pesë të fituar.

Për shumë tifozë të futbollit, Ronaldo mbetet futbollisti më i mirë në botë dhe këtë mendim e ndan edhe Kombëtarja e Portugalisë. Këtë gjë, portugezët e bënë të qartë me postimin e tyre të fundit në Twitter.

Faqja zyrtare e Kombëtares së Portugalisë e postoi një fotografi të Ronaldos me fanellën e ekipit kombëtar dhe mbi fotografi kishin shkruar “Më i miri i të gjitha kohëve”.

34-vjeçari nuk do të luajë në ndeshjen e radhës të Juventusit në Serie A, kundër Brescias të martën, për shkak të një lëndimi të lehtë. Mirëpo, pas ceremonisë së FIFA-s, Ronaldo e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta postuar një mesazh.

“Durimi dhe këmbëngulja janë dy karakteristikat që e bëjnë dallimin mes një profesionisti dhe një amatori”, shkroi Ronaldo.

“Gjithçka që është e madhe sot ka nisur nga diçka e vogël. Nuk mund të bësh gjithçka, por bëj gjithçka që mundesh për t’i bërë ëndrrat e tua realitet dhe mbaje në mend që pas çdo nate, vjen mëngjesi”.

Ronaldo nuk e votoi Messin në top treshen e tij për këtë çmim, duke zgjedhur ta votojë bashkëlojtarin e tij në Juventus, Matthijs de Ligtin, Frenkie De Jongun dhe Kylian Mbappen.

Megjithatë, Messi e votoi Ronaldon si zgjedhjen e tij të dytë, para Frenkie De Jongut e pas Sadio Manes të Liverpoolit. 

(Kosova Sot Online)