Zidane mbetet pa mbrojtës të krahut të majtë, lëndohet Mendy

  • 24 September 2019 - 14:32
Zidane mbetet pa mbrojtës të krahut të majtë, lëndohet Mendy

Mbrojtësi i krahut të majtë, Ferland Mendy, mungoi në seancën e fundit stërvitore të Real Madridit, para ndeshjes së nesërme kundër Osasunas, për shkak të problemeve muskulore, përderisa edhe Marcelo është i lënduar.

Zinedine Zidane nuk ka kohë ta shijojë fitoren e së dielës në “Sanchez Pizjuan”. Kur Osasuna do ta vizitojë “Santiago Bernabeun” nesër në mbrëmje, ai do të duhet të eksperimentojë për pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, pasi që Ferland Mendy është i lënduar.

Edhe pse mediumet spanjolle, si Marca dhe AS, raportojnë se Mendy ka lëndim muskulor, Real Madridi ende s’e ka publikuar raportin mjekësor të futbollistit, për ta bërë të ditur se me cfarë lëndimi po përballet ai.

Mendy kishte qenë njëri ndër lojtarët kryesorë në fitoren e së dielës kundër Sevillas. Ai u inkuadrua në lojë në vend të Marcelos, i cili vazhdon të jetë i lënduar dhe u stërvit ndaras ekipit edhe sot.

Zidane e ka një numër të opsioneve për këtë pozitë për ndeshjen kundër Osasunës – Nacho, i cili ka luajtur në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë edhe në të kaluarën, është opsioni më i natyrshëm.

Një tjetër alternativë për Zidanin është ta marrë ndonjë futbollist nga ekipi i të rinjve të Real Madridit. Përkundër që asnjë i ri nuk mori pjesë në seancën stërvitore sot, Rauli i ka dy lojtarë në Castilla që mund t’i kryejnë punë trajnerit francez: Fran Garcia dhe Javi Hernandez.

Në anën tjetër, tifozët e Real Madridit i janë gëzuar kthimit të Iscos, i cili u stërvit bashkë me skuadrën sot dhe mund të jetë në listën e lojtarëve të zgjedhur nga Zidane për ndeshjen kundër Osasunës.

(Kosova Sot Online)