Arsenali fiton me goleadë ndaj Nottinghamit

  • 24 September 2019 - 22:58
Arsenali fiton me goleadë ndaj Nottinghamit

Arsenali është treguar bindës në fitoren prej 5-0 kundër Nottingham Forestit, në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të Kupës EFL (të njohur si Carabao Cup) që u zhvillua në Emirates Stadium.

Vetëm një gol u realizua në pjesën e parë, kur pas një asistimi të bukur nga Calum Chambers, Gabriel Martinelli e dërgoi topin në rrjetë (31′).

Në gjysmën e dytë, Rob Holding e dyfishoi epërsinë e Topçinjve (71′), kur u asistua nga Reiss Nelson. Joseph Willock e ngriti akoma më shumë avantazhin (78′) me ndihmën e Hector Bellerin. 

Golin e katërt për skuadrën vendase e shënoi Reiss Nelson, ndërsa asistimin e dhuroi  Chambers, për të dytën herë në këtë takim.

Në minutat shtesë (90’+2), Martinelli e shënoi golin e dytë personal në këtë takim dhe të pestin për skuadrën e tij.

Falë këtij triumfi, Arsenali është kualifikuar në raundin e katërt të kësaj kupe dhe do të shpresojë që të shkojë sa më larg.

(Kosova Sot Online)