PSG-ja, optimiste për të ardhmen e Neymarit

  • 25 shtator 2019 - 08:34
  PSG-ja, optimiste për të ardhmen e Neymarit

Paris Saint-Germaini është optimist se do të mundë ta mbajë në skuadër brazilianin Neymar edhe në të ardhmen, përkundër që ai ishte shumë afër largimit nga klubi gjatë afatit kalimtar të verës.

Klubi francez shpreson se ylli brazilian Neymari do ta nënshkruajë një kontratë të re me PSG-në, pasi drejtuesit e klubit po ndihen më optimist pas negociatave të fundit mes dy palëve, sipas Le10Sport.

27-vjeçari e kishte pranuar gjatë kësaj vere se ai dëshironte të largohet nga Paris Saint-Germaini dhe t’i ribashkohej Barcelonës, mirëpo bisedimet mes dy klubeve rezultuan të pasuksesshme.

Tani, ajo që dukej e pamundur vetëm një muaj më parë mund të bëhet realitet: Neymari mund të qëndrojë në Parc des Princes në një periudhë më afatgjate.

Si rezultat i dëshirës së Neymarit për t’u kthyer në Spanjë, tifozët e PSG-së e pritën atë me fishkëllima dhe ofendime në ndeshjen e tij të parë për klubin francez këtë sezon, përkundër që ai e shënoi golin e fitores në mënyrë mbresëlënëse – gol akrobatik në minutat e fundit të ndeshjes.

Para një jave, trajneri Thomas Tuchel tha se ai e kupton zemërimin e tifozëve të PSG-së, mirëpo Neymari mbetet një profesionist shembullor dhe insiston se ai do të vazhdojë ta japë maksimumin e tij për klubin këtë sezon.

“Ai nuk dëshironte të jetë këtu. Ai bëri gjithçka në fuqinë e tij për t’u larguar nga klubi. Kjo nuk e bëri atë të famshëm në mesin e tifozëve. Ju mund ta kuptoni këtu dhe unë e kuptoj nëse tifozët janë të zemëruar me të përgjithmonë”, tha Tuchel.

“Megjithatë, është një anë tjetër mes atij si lojtar dhe meje si trajner. Ne kurrë nuk patëm mospajtime. Për këtë arsye unë e pata shumë të lehtë ta inkuadroj atë në lojë. Ai gjithmonë është stërvitor si profesionist. Mendoj se vendimi ishte çlirues për të, edhe nëse ishte kundër dëshirës së tij”.

“Pastaj, njeriu automatikisht përqendrohet te detyrat. Si atlet, nuk mund të mendosh për shumë gjëra të tjera. Duhet ta japësh maksimumin tënd. Ai është i uritur dhe është një djalosh garues që gjithmonë dëshiron të fitojë”.

“Ai duhet t’i përballojë fishkëllimat nga tifozët tani, ky është realiteti. Ai duhet ta kalojë këtë periudhë dhe ne duhet ta kalojmë këtë gjë kur luajmë në shtëpi. Gjëja më e mirë për ta bërë është ta pranojmë”. /

Kosova Sot Onlinne )