Zyrtari i Juventusit beson se Messi s’duhej të ishte shpallur më i miri: Ronaldo e meritoi

  • 25 September 2019 - 08:52
Zyrtari i Juventusit beson se Messi s’duhej të ishte shpallur më i miri: Ronaldo e meritoi

Cristiano Ronaldo, e jo Lionel Messi, duhej ta kishte fituar çmimin e FIFA-s për futbollistin më të mirë të vitit 2019 në botë, sipas drejtorit sportiv të Juventusit, Fabio Paraticit.

Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, u shpërblye për paraqitjet dhe arritjet e tij gjatë 12 muajve të fundit me çmimin individual të FIFA-s në ceremoninë e mbajtur dje në Milano.

Ai ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për ta pranuar shpërblimin, mirëpo Ronaldo, që u radhit i treti, kishte vendosur të mos merrte pjesë, edhe pse jeton vetëm 150 kilometra larg vendin ku u mbajt ngjarja. 

Drejtori sportiv i Juventusit beson se juria e FIFA-s, e përbërë nga gazetarë, trajnerë, kapitenë dhe tifozë, e mori vendimin e gabuar, duke insistuar se Ronaldo e meritonte atë për trofetë që i kishte fituar në vitin 2019.

“Ne jemi shumë të zhgënjyer me çmimet mbrëmë”, tha Paratici në një intervistë të dhënë për Corriere dello Sport.

“Përderisa ende kemi respekt për Messin, i cili është lojtar i mrekullueshëm, ne mendojmë se pas sezonit të kaluar, pasi e fitoi Ligën e Kombeve, Serinë A dhe Superkupën e Italisë dhe pasi luajti jashtëzakonisht mirë në Ligën e Kampionëve, Ronaldo e meritoi këtë çmim”.

Ronaldo nuk e votoi Messin në top treshen e tij për këtë çmim, duke zgjedhur ta votojë bashkëlojtarin e tij në Juventus, Matthijs de Ligtin, Frenkie De Jongun dhe Kylian Mbappen.

Megjithatë, Messi e votoi Ronaldon si zgjedhjen e tij të dytë, para Frenkie De Jongut e pas Sadio Manes të Liverpoolit.

(Kosova Sot Online)