Guardiola e mbron Silvan, pas postimit kontrovers të tij në rrjete sociale

  • 25 September 2019 - 10:20
Guardiola e mbron Silvan, pas postimit kontrovers të tij në rrjete sociale

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka mbrojtur Bernardo Silvan, pasi Federata e Futbollit e Anglisë e kontaktoi klubin shkaku i një postimi të mesfushorit në rrjetin social Twitter.

Postimi i portugezit në rrjetet sociale, lidhur me bashkëlojtarin e tij, Benjamin Mendyn, u vlerësua si ofendues nga shumë persona dhe për këtë arsye më vonë ai postim u fshi. Megjithatë, Federata angleze do ta hetojë rastin.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Mendy, e kishte parë anën qesharake të postimit të Silvas, por mesfushori mund të suspendohen nëse shpallur fajtor për abuzim në baza racore.

Guardiola garantoi për karakterin e futbollistit të tij, duke insistuar se ai nuk e kishte pasur për qëllim ta ofendojë askënd. 

“Sinqerisht, nuk e di çfarë do të ndodhë. Ata duhet të përqendrohen në një tjetër problem sepse ata nuk e dinë se për çfarë djaloshi po bëhet fjalë”, u shpreh Guardiola, pas fitores së Manchester Cityt kundër Prestonit.

“Bernardo është njëri ndër njerëzit më të dashur që e kam takuar në jetën time. Ai i flet katër apo pesë gjuhë dhe kjo është mënyra më e mirë për ta kuptuar se sa mendjehapur është ai dhe njëri ndër shokët e tij më të mirë është Mendy. Ata janë si vëllezër”.

“Fotoja nuk ka të bëjë me ngjyrën e lëkurës. Ai e mori një fotografi të Benjaminit kur ai ishte i ri dhe e lidhi atë me një film të animuar, që dukej i ngjashëm me foton”.

“Nëse ata duan ta hetojnë rastin dhe ta marrin në pyetje Bernardon, mendoj se ai do të jetë i gatshëm të flasë. Por, së pari, ti duhet ta dish saktësisht se për çfarë personi po bëhet fjalë”.

“Ka shumë situata me njerëz, me njerëz të bardhë, kur ti e shikon një film të animuar dhe një personazh është i ngjashëm me fytyrën tënde dhe ti e vendos atë. Kjo është shumë e thjeshtë”.

“Mendoj se përgjigja nga Mendy ishte e qartë pas kësaj. Ata bëjnë shaka gjatë gjithë kohës. Ndoshta këshilla ime është të fshihen rrjetet sociale. Nëse diçka ndodh, do të ishte gabim”.

“Bernardo është një person i jashtëzakonshëm. Një djalosh që i flet pesë gjuhë, e bën këtë sepse është mendjehapur – nuk ka të bëjë asgjë me ngjyrën e lëkurës, kombësinë apo diçka të tillë”.

(Kosova Sot Online)