Komiteti Olimpik i Italisë: Simulimet në futboll, gabim më i madh se racizmi

  • 25 September 2019 - 13:20
Komiteti Olimpik i Italisë: Simulimet në futboll, gabim më i madh se racizmi

Presidenti i Komitetit Olimpik të Italisë, Giovanni Malago, ka nxitur kritika drejt vetes duke pretenduar se simulimet janë problem më i madh në futbollin italian sesa racizmi.

Serie A ka marrë kritika të shumta gjatë xhirove të para të këtij sezoni të ri, pasi që reagimi i autoriteteve përgjegjëse ndaj incidenteve të racizmin nuk është vlerësuar i mjaftueshëm.

Megjithatë, Malago – i cili e drejton Komitetin Olimpik të Italisë – beson se simulimet në futboll janë gabim më i madh sesa thirrjet raciste.

“Tifozët të cilët i fishkëllejnë lojtarët me ngjyrë po gabojnë”, tha Malago për Radio24.

“Megjithatë, është gabim edhe më i madh kur dikush, që merr pagë prej tre milionë eurosh, simulon në zonën e penalltisë dhe pastaj e merr me shumë kënaqësi ta gjuajë penalltinë”.

Së fundi, një grup i tifozëve të Brescias u dëgjuan duke bërë thirrje raciste në drejtim të mesfushorit të Juventusit, Miralem Pjanicit, gjatë ndeshjes së mbrëmshme mes dy klubeve, në kuadër të Serisë A. Sport Mediaset raporton se tifozët ultras të Brescias u dëgjuan duke thirrur “zingaro” – apo “cigan” në shqip – drejt Miralem Pjanicit.

Ky incident vjen vetëm pak ditë pasi FIGC i filloi hetimet për abuzimin në baza racore që iu bë mbrojtësit të krahut të majtë të Fiorentinës, Dalbertit.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i ka bërë thirrje Serisë A ta gjejë një zgjidhje ndaj këtij problemi dhe ta largojë racizmin nga futbolli dhe nga shoqëria.

Ky është rasti i katërt i racizmit në këtë sezon të ri të Serisë A, pasi që, para Dalbertit, incidente të tilla raportuan edhe Romelu Lukaku i Interit dhe Franck Kessie i Milanit.

Megjithatë, incidentet e tilla nuk kanë ndodhur vetëm në Itali, pasi që shumë lojtarë të Premierligës, përfshirë këtu Paul Pogba, Marcus Rashford dhe Tammy Abraham, kanë përjetuar një gjë të tillë në rrjete sociale.

(Kosova Sot Online)