Ky është fillimi më i keq i sezonit në karrierën e Messit

  • 25 shtator 2019 - 17:46
Ky është fillimi më i keq i sezonit në karrierën e Messit

Lionel Messi është duke e përjetuar fillimin më të keq të sezonit në karrierën e tij, jo për shkak të paraqitjeve në fushë, por si rrjedhojë e mungesës si pasojë e lëndimit.

Kapiteni i Barcelonës e ka humbur praktikisht tërë fazën parasezonale dhe gati dy muaj të sezonit të ri 2019/20 për shkak të problemit në pulpën e këmbës.

Ai i rikthye javën e kaluar dhe bëri dy paraqitje si zëvendësues dhe një si titullar, por e cila i zgjati vetëm 45 minuta, pasi u detyrua ta braktisë fushën të martën në fitoren e Barçës 2:1 kundër Villarrealit në La Liga, për shkak të një lëndimi tjetër.

Ai është në pritje ta mësojë shkallën e dëmtimit në ije, që e pësoi mbrëmë.

Lëndimi në pulpë që e pësoi gjatë verës, bëri që ai të mos merrte pjesë në turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara, si dhe të mungonte në katër ndeshjet e para në La Liga këtë fillim sezon.

Ai u rikthye kundër Dortmundit në Ligën e Kampionëve, 42 ditë pas lëndimit.

Superylli argjentinas luajti në pjesën e dytë kundër Granadës në fundjavë dhe u zëvendësua pas pjesës së parë në mesjavë kundër Villarrealit.

Messi nuk do të jetë i gatshëm të luajë kundër Getafes këtë të shtune, sipas të gjitha gjasave.

Megjithatë, edhe pse ky është fillimi më i keq i sezonit në karrierën e tij, 32-vjeçari ka pësuar më shumë lëndime të rënda në të kaluarën.

Gjatë sezonit 2006/07, Messi e theu gishtin e këmbës dhe mungoi 87 ditë. Në sezonet 2005/06, 2013/14 dhe 2015/15, Messi ai kishte munguar nga më shumë se 50 ditë.

(Kosova Sot Online)