Rrëfimi i Rashkajt për mediat greke: “Fëmijët e luftës” që po bëjnë mrekulli

  • 25 September 2019 - 19:21
Rrëfimi i Rashkajt për mediat greke: “Fëmijët e luftës” që po bëjnë mrekulli

“Fëmijët e luftës”, kështu i quajnë në Greqi djelmoshat që luajnë për Kosovën.

Në një intervistë për “Gazzetta.gr”, mesfushori Anel Rashkaj ka folur për shumë gjëra rreth Kosovës.

Në prononcimin e tij, futbollisti i cili aktivizohet në kampionatin suedez te skuadra e AFC Eskilstuna, rendit arsyet e rezultateve pozitive të ‘Dardanëve’, teksa kujton me nostalgji kihen kur nuk kishin as uniforma.

“Arsyeja pse po ecim mirë është se gjithmonë Kosova ka pasur lojtarë të mirë. Një arsye tjetër është eksperienca e fituar në kualifikueset e Botërorit, për të mos harruar edhe mbështetjen fantastike që marrim nga shqiptarët e Kosovës në mbarë botën”.

“Këto janë arsyet pse kemi arritur në pikën që pretendojmë një vend në finalet e Euro 2020”, fillon rrëfimin i Rashkajt.

Fansat e Kosovës . (Photo by Clive Mason/Getty Images)

Meritat për punën e mirë ia jep trajnerit Bernard Challandes, duke thënë se cdo vendim që e merr është për të mirë të ekipit.

“Mendoj se Challandes është një trajner shumë i mirë. Është mënyra e vetme për të motivuar futbollistët. Ai gjithashtu merr vendime të mirë dhe të drejta për përfaqësuesen. Ne besojmë te kualifikimi. Pse jo?! Për sa kohë diferenca me Çekinë është e vogël, gjithçka është e mundur”, nënvizoi ai.

Anel Raskaj në aksion ndaj Anglisë . (Photo by Clive Mason/Getty Images)

Në fund Aneli flet edhe për karrierën e tij dhe pranimin e ftesës së Kosovës që në moshë të re.

“Kam lëvizur drejt Suedisë që në moshën 14-vjeçare, por e kam përfaqësuar Kosovën për herë të parë në vitin 2009. Atëherë ne ende nuk ishim pranuar nga FIFA dhe UEFA”.

“Mbaj mend që 10 vite më parë nuk kishim rroba për t’u stërvitur dhe tani jemi pjesë e këtij suksesi. Të gjitha këto lojëra janë shumë motivuese për mua dhe jam shumë i lumtur”, ka thënë Rashkaj.

Kosova luan në tetor dy ndeshje, ndaj Gjibraltarit dhe Malit të Zi.

(Kosova Sot Online)