Zhegrova i ndihmon Baselit ta mundë Zurichin me golin e parë në Superligën zvicerane

  • 25 September 2019 - 22:15
Zhegrova i ndihmon Baselit ta mundë Zurichin me golin e parë në Superligën zvicerane

Edon Zhegrova e ka shënuar golin e parë në karrierë, dhe atë në mënyrën më mjeshtërore të mundshme, për Baselin në Superligën e Zvicrës, duke i ndihmuar skuadrës së tij ta mundë 4:0 Zurichin të mërkurën.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Zhegrova, i cili kishte luajtur vetëm 63 minuta futboll deri tani këtë sezon për Baselin, e realizoi golin e parë në ligën elitare zvicerane që prej huazimit nga Genku në fillim të këtij viti.

I ardhur nga banka rezervë në minutën e 72-të në vend të Kevin Bua, Zhegrovës iu deshën më pak se dhjetë minuta për ta shënuar mbase golin e karrierës në minutën e 80-të.

20-vjeçari e mori topin pothuajse në mesin e fushës dhe ia doli t’i shmangë pesë futbollistë rrugës drejt portës së Zurichit, për ta mposhtur portierin Vanins.

Anësori kosovar ka pasur shumë pak hapësirë për Baselin, klubin në të cilin është i huazuar deri në verën e 2020-es, duke i bërë vetëm katër paraqitje si titullar dhe shtatë si zëvendësues.

Në takimin e sotëm, mesfushori i Shqipërisë, Taulant Xhaka asistoi dy herë, duke bërë një paraqitje të mirë.

Pas tetë javëve të para, Baseli është lider i Superligës me 19 pikë, tri më shumë se kampioni në fuqi, Young Boys.  

(Kosova Sot Online)