Interi e fiton derbin me Lazion, e rimerr kreun në Serie A

  • 25 September 2019 - 23:10
Interi e fiton derbin me Lazion, e rimerr kreun në Serie A

Interi e ka ruajtur ecurinë e përkryer në Serie A duke e regjistruar fitoren e pestë radhazi, pasi e mundi Lazion në derbin e mesjavës të mërkurën.

Danilo D’Ambrosio e shënoi golin e vetëm për t’ia siguruar skuadrës zikaltër të Antonio Contes fitoren e pestë nga aq ndeshje deri tani në ligë në San Siro kundër Lazios.

Ky është një fillim i përkryer për Conten, me Interin e tij që është lider me 15 pikë nga 15 të mundshme.

Interi ndiqet nga Juventusi, kampioni në fuqi që grumbullon 13 pikë.

D’Ambrosio shënoi me kokë në minutën e 23-të, pas një superharkimi nga Cristian Biraghi.

Epërsia e Interit ka mundur të ishte shumë më thellë, por portieri i Kombëtares shqiptare Thomas Strakosha pati disa pritje të jashtëzakonshme për t’i mohuar zikaltrit.

Valon Berisha, mesfushori i Kombëtares së Kosovës, luajti në çerekun e fundit të takimit, pa mundur të shfaqë çfarëdo ndikimi.

Lazio ngel në pozitën e tetë me shtatë pikë.

(Kosova Sot Online)