Alves: Lumturia e Neymarit është në Barcelonë

  • 26 September 2019 - 13:20
Alves: Lumturia e Neymarit është në Barcelonë

Mbrojtësi brazilian dhe ish-bashkëlojtari i Neymarit në Paris Saint-Germain, Dani Alves, e ka pranuar se braziliani duhet të kthehet në Barcelonë për t’i vazhduar sukseset që i shijonte atje.

Dani Alves dhe Neymari janë shokë të ngushtë, pasi që ata të dy kishin luajtur bashkë edhe në Barcelonë, Paris Saint-Germain dhe për ekipin kombëtar të Brazilit.

Për këto arsye, Alvesi është në pozitë të mirë për ta analizuar situatën në të cilën ndodhet Neymari momentalisht me klubin e Ligue 1.

“Lumturia e Neymarit është në Barcelonë”, tha mbrojtësi për BusinessInsider dhe shtoi se mendon se Neymari mund të kënaqet vetëm në Camp Nou, ku mund t’i vazhdojë sukseset që i shijonte aty para se të largohej.

Në fillim të gushtit të vitit 2017, lajmi se Neymari po largohej nga Barcelona për t’iu bashkuar Paris Saint-Germainit për 222 milionë euro e tronditi botën e futbollit. Tani, dy vjet më vonë, braziliani është ende me parisienët, përkundër që gjatë verës e kërkoi kthimin në “Camp Nou”.

Në fund, marrëveshja mes dy klubeve nuk u arrit dhe vetëm në dy ndeshjet e fundit, veçanërisht pasi që Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani janë të lënduar, Neymari ka dëshmuar sa i rëndësishëm është për skuadrën e Thomas Tuchelit, duke i shënuar golat e fitores në dy ndeshjet e ligës.

Megjithatë, mediumet franceze raportojnë se braziliani nuk kishte qenë asnjëherë plotësisht i përgatitur për kalimin nga Barcelona në Paris, të paktën në aspektin e gjuhës.

Sipas L’Equipe, futbollisti nuk kishte marrë asnjëherë mësime të gjuhës frënge dhe as nuk kishte qenë i interesuar ta mësojë atë. Por, tani ai do të detyrohet ta bëjë një gjë të tillë, sipas deklaratës së fundit të drejtorit sportiv të klubit.

“Që nga tani, gjuha frënge do të flitet këtu. Nëse dikush nuk e kupton, ai duhet të mbajë leksione”, tha Leonardo, gjatë një seance stërvitore para disa ditësh, kur Neymari u kthye në skuadër nga lëndimi i tij.

Përkundër që fillimisht e kishte përdorur Marquinhosin si përkthyer, ish-ylli i Barcelonës më vonë e arsyetoi qëndrimin e tij duke thënë se gjuha e futbollit është universale. Megjithatë, tani ai do të duhet ta mësojë edhe gjuhën e vendit ku po luan, si bashkëlojtarët e tjerë të tij.

Edhe Gareth Bale i Real Madridi është përballur me kritika të shumta, pasi që as uellsiani s’ka arritur ta mësojë gjuhën spanjolle, përkundër që ka qenë pjesë e Real Madridit që gjashtë vjet.

(Kosova Sot Online)