Spoti publicitar “hedh dritë” mbi të ardhmen e Jose Mourinhos

  • 26 September 2019 - 22:45
Spoti publicitar “hedh dritë” mbi të ardhmen e Jose Mourinhos

Jose Mourinho vijon të mbetet i papunë, por duket se e ardhmja e tij tashëm do të jetë Bayerni i Mynihut. Disa konfirmime i ka dhënë vetë tekniku gjerman, që në një intervistë për mediat angleze ka thënë se po studion gjuhën gjermane.

Megjithatë ditën e sotme kanë ardhur edhe konfirmime të tjera, nga një reklamë që e ka xhiruar pikërisht tekniku i mirënjohur portugez, i cili më herët ka drejtuar dhe fituar në Itali, Spanjë e Angli, por i mungon eksperienca në Gjermani e Francë.

Në spotin publicitar, Mourinho shfaqet fillimisht duke lexuar një gazetë me titullin “Cila do të jetë e ardhmja e Special One”, ndërsa më pas atij i shkon një zarf ku shkruhet për “Herr Mourinho” apo “Zotin Mourinho” në shqip. 

Në një moment tjetër të spotit, portugezi kalon para një librarie, ku fokusohet titulli i një libri, “Mësoji vetes gjermanisht”, ndërsa të gjitha këto detaje të reklamës publicitare, janë komentuar në rrjetet sociale si sinjale që Mourinho do të ulet në stolin e gjigantëve tedeskë.

Pak ditë më parë, Mourinho u pyet në lidhje me interesin për t’u rikthyer në Madrid, te Reali, por portugezi u tregua i prerë, duke thënë se respekton punën e Zidane dhe se momentalisht po mëson gjermanisht, pasi dëshiron një tjetër eksperiencë.

Aktualisht në stolin e gjigantëve gjermanë të Bayern Munchen është ulur kroati Niko Kovaç, por ky i fundit nuk gëzon besimin maksimal të drejtuesve dhe verën e ardhshme mund të largohet për t’i lënë vendin Mourinhos.

(Kosova Sot Online)