Higuain tregon se si ka ndryshuar Ronaldo që nga koha kur ishte në Real Madrid

  • 27 September 2019 - 08:35
Higuain tregon se si ka ndryshuar Ronaldo që nga koha kur ishte në Real Madrid

Gonzalo Higuain beson se ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, është bërë më i pjekur që nga koha kur ata kishin luajtur bashkë në Real Madrid.

Gonzalo Higuain dhe Cristiano Ronaldo janë ribashkuar në Torino, pasi dyshja i fitoi tre tituj me gjigantin e La Ligës, Real Madridin, para se argjentinasi t’i bashkohej Napolit në vitin 2013, transmeton Gazeta Express.

Pasi më vonë iu bashkua Juventusit në vitin 2016, ndërsa Ronaldo u transferua në klubin italian në vitin 2018, Higuaini u huazua në Milan për gjysmën e parë të sezonit të kaluar e pastaj në Chelsea për pjesën e dytë.

Higuain dhe Ronaldo, i cili e fitoi titullin e Serisë A qysh në sezonin e tij debutues në Itali, tani janë bashkuar sërish nën trajnerin e Juventusit, Maurizio Sarrin. Së fundi, argjentinasi e lavdëroi partnerin e tij në sulm.

“Ne veçse kishim luajtur bashkë në Real Madrid. Shumë vite kanë kaluar dhe unë e kam gjetur një lojtar tjetër, një person më të pjekur, me familje”, tha Higuain në një intervistë të dhënë për Fox Sports.

“Unë e shijova mundësinë që të luaj përkrah tij në të kaluar dhe jam i kënaqur që jemi kthyer bashkë sërish”.

Higuain ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2021 dhe i ka bërë pesë paraqitje në Serie A këtë sezon. Ai e ka shënuar një gol deri më tani, përderisa Juventusi radhitet në pozitën e dytë në tabelë, pas Interit. 

(Kosova Sot Online )