Gazeta italiane: Amir Rrahmani, muri kosovar

  • 27 September 2019 - 09:05
Gazeta italiane: Amir Rrahmani, muri kosovar

Mediumi italian, deliquentidelpallone, e ka publikuar një artikull të veçantë për qendërmbrojtësin kosovar të Hellas Veronas, Amir Rrahmanin, duke e lavdëruar atë për aftësitë e tij në repartin e mbrojtjes.

Në fillim të këtij kampionati, përveç liderit Interit, është edhe një tjetër skuadër që e ka pranuar vetëm një gol këtë sezon nga loja e hapur. Çuditërisht, ajo skuadër është Hellas Verona.

Portieri Silvestri është dashur ta marrë topin nga rrjeta katër herë nga pesë ndeshjet, megjithatë tri prej këtyre golave erdhën nga ndërprerjet, shkruan deliquentidelpallone.

Goli i vetëm nga loja e hapur ishte goli i shënuar nga Aaron Ramsey në disfatën me rezultat 2:1 të Veronës kundër Juventusit. Një fakt interesant që e dëshmon punën e bërë nga drejtuesit e klubit, veçanërisht shkaku i një blerjeje që u bë këtë verë.

Ne po flasim për Amir Rrahmanin, qendërmbrojtësin dhe kapitenin 25-vjeçar të Kombëtares së Kosovës. Një blerje e qëlluar që i solli mbrojtjes së Veronës përvojë, fuqi fizike dhe cilësi.

Rrahmani kishte lindur në Prishtinë më 24 shkurt të vitit 1994. Deri këtë verë, karriera e tij ishte zhvilluar në zonën e Ballkanit, duke i veshur fanellat e Drenicës, Partizanit të Tiranës, Lokomotiva Zagrebit dhe Dinamo Zagrebit.

Pasi luajti me grupmoshat e Kombëtares së Shqipërisë, Amir Rrahmani vendosi në vitin 2016 t’i zgjedhë ngjyrat e Kombëtares së Kosovës, një skuadër që është duke e shkruar vetë historinë e saj.

Përtej aftësive të tij të shfaqura në fushë, ku përfshihet edhe aftësia e mirë për të shënuar me kokë, Amir Rrahamani, muri kosovar, është duke mbrojtur me përkushtim dhe duke tentuar t’ia kthejë lavdinë Hellas Veronës.

(Kosova Sot Online )